Ecuria e tregueve financiare të sistemit në harkun kohor 1994 – 2011, problemet për zgjidhje dhe çështjet për reformim.
(Nga zt. Ali EMINI, Nëndrejtor i Përgjithshëm, ISSH)
Hyrje
Stabiliteti financiar dhe zhvillimi i sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri, si edhe në vendet e tjera, ka qenë dhe mbetet i ndikuar nga fuqia ekonomike e vendit, stabiliteti
makroekonomik, situata demografike, zhvillimet e tregut të punës, niveli i papunësisë, niveli i punësimit e i pagave, etj.
Ndikimi i këtyre treguesve ka shoqëruar këtë sistem që në fillimet e tij nga viti 1993 e deri sot, disa herë duke ndikuar në përmirësimin e qëndrueshmërisë së tij financiare, disa herë duke siguruar më shumë mjete financiare në dispozicion të rritjes së transfertave në buxhetet familjare dhe rritjen e të ardhurave të pensionistëve, por disa herë edhe duke diktuar ndërmarrjen e reformave që kanë ndryshuar parametrat e sistemit, duke i dhënë atij më tepër frymëmarrje financiare, më tepër drejtësi dhe koherencë e unifikim me zhvillimet e sistemeve të sigurimeve shoqërore të Europës.
Natyrisht, sistemi aktual i sigurimeve shoqërore në Shqipëri ka një të kaluar të zhvillimit dhe administrimit të tij, pasi një skemë e pensioneve publike në Shqipëri është vendosur që në vitin 1947 dhe më tej, me ndryshimet ligjore të viteve 1966 dhe 1972, është zhvilluar një skemë e plotë e sigurimeve shoqërore, e financuar nga derdhjet e ndërmarrjeve shtetërore dhe kooperativave bujqësore në formën e kontributeve, që ishin pothuajse drejtpërdrejt pjesë e çmimeve të përcaktuara, në një ekonomi të mbyllur e totalisht të centralizuar.
Sistemi i i vitit 1966, i parë në këndvështrimin financiar, nuk trashëgoi të drejta të fituara nga sistemet e paraluftës së dytë botërore, ndërkohë që të drejtat e fituara nga legjislacioni i vitit 1947 ishin të pakta në numër dhe për këtë shkak në fillimet e tij ai ishte lehtësisht i financueshëm. Kjo gjendje propogandohej si përparësi e sistemit politik, por ndërkohë, vit pas viti numri i përfituesve u rrit dhe sidomos u rrit në mënyrë të ndjeshme numri i atyre personave që kishin siguruar të drejtën e përfitimit të një pensioni, qoftë edhe të pjesshëm, ndërsa sistemi nuk dispononte asnjë lloj fondi të akumuluar për mbulimin e të drejtave të fituara si dhe asnjë fond rezervë. Përkundrazi, për shkak të rritjes graduale të numrit të përfituesve, në 10 vitet e fundit të ekzistencës së tij, për të mundësuar financimin e përfitimeve, evidentohen 4 ndryshime ligjore të rritjes së normës së kontributeve.
Zhvillimet dhe ndryshimet që ndodhën në sistemin ekonomik- shoqëror të vendit, në fillim të viteve 1990, mbartin reflektimet e tyre edhe në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe veçanërisht në financat e tij.
Kalimi nga sistemi i ekonomisë së planifikuar në atë të ekonomisë së tregut, në fillimet e tij, përveç gjendjes së rënduar të të drejtave të fituara në sistemin e pensioneve, për shkak të një legjislacioni të paqëndrueshëm financiarisht, u shoqërua me disa pasoja të tjera negative. Ato u shprehën në papunësinë masive, si rezultat i kolapsit të sektorit publik të ekonomisë, rritje galopante të ekonomisë informale, në dalje masive në pension të parakohshëm të shumë punonjësve, si rezultat i mbylljes apo i ristrukturimit të ndërmarrjeve publike, ç’ka veç të tjerave, u shoqëruan me përkeqësimin dramatik të raportit kontribues / përfitues, i njohur gjerësisht edhe si raport mbështetës apo raporti i varësisë. Ky raport zbriti në kufirin kritik 1.1 kontribues për 1 përfitues.
1990 1994
Kontribuesit në total 1,451,212 480,435
Përf. e pens. të pleqërisë 239,861 370,227
Në vitin e fundit të ekzistencës së tij (viti 1993), sistemi i vjetër i sigurimeve shoqërore siguroi nëpërmjet të ardhurave nga kontributet më pak se 50% të fondeve të nevojshme për përballimin e përfitimeve ndërkohë që, në kushtet e një inflacioni galopant përfitimet reale nga pensionet ishin mjaft të vogla dhe nuk arrinin të mbulonin nevojat më minimale të jetesës. Një tregues mjaft sinjifikativ ishte edhe shkalla e varësisë së sistemit, e cila përfaqëson raportin kontribues / forca pune. Në vitin 1993 ajo ishte 33.7%, pra në nivele mjaft kritike.
Në këto kushte të vështira ekonomike të sistemit të sigurimeve shoqërore, u përcaktua domosdoshmëria e reformimit të sistemit të pensioneve dhe me asistencën e institucioneve të specializuara ndërkombëtare u vendosën sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore dhe sistemi aktual i sigurimit shoqëror të detyrueshëm. Sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqërore, i miratuar me Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), bazohet në dy kolona: në atë të detyrueshme dhe në kolonën suplementare vullnetare.
Sistemi i ri i sigurimeve shoqërore, mbajti parasysh dhe mori mbi vete financimin e të drejtave të fituara, adaptoi parimet dhe fushat e mbulimit të popullatës me elemente të sigurimit shoqëror, të përcaktuara nga OBP (ILO), ndërsa në aspektin financiar si parime kryesore u përcaktuan:
1.Përfitimet sociale ose pensionet publike përballohen nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore (FSSH), që është strukturë financiare e pavarur nga Buxheti i Shtetit;
2.Menaxhimi i FSSH i është ngarkuar ISSH-së, cili është institucion i publik në varësi administrative relative të Ministrisë së Financave;
3.Fondi i sigurimeve shoqërore formohet nga kontributet e personave ekonomikisht aktivë, nga të ardhurat e tjera dhe nga financimet e Buxhetit të Shtetit, kur të ardhurat kontributive nuk mjaftojnë;
4.Nëpërmjet këtij Fondi financohen përfitimet e popullatës, të ndara në 5 degë si dhe kosto e administrimit të tij.
Skema e buxhetit të Sigurimeve Shoqërore paraqitet si vijon:
Të ardhura të rregullta Përfitimet
Kontributet Sigurime për sëmundje
– nga punëdhënësit Sigurime për barrëlindje
– nga të punësuarit Sigurime për pensione
– nga të vetëpunësuarit Sigurime për aksidente në punë
– nga Buxheti i Shtetit Transferim në buxhetin e sigurimit të papunësisë
Interesa dhe komisione
Të ardhura të parregullta Kostot Administrative
Transferta nga Buxheti i Shtetit Operacionale ose korente
– për indeksimin e pensioneve Investimet
– për programet speciale
– për financim të deficitit të ISSH-së
Të ardhura të tjera (gjoba, etj.) Fondi Rezervë i Sigurimeve Shoqërore
Sistemi i ndërtuar, nëpërmjet normave ligjore të përcaktuara, në një afat kohor të shkurtër arriti:
1.Të krijojë mundësitë financiare për financimin e përfitimeve të trashëguara nga sistemi i vjetër, por edhe të përfitimeve të reja;
2.Të ndërpresë vazhdimin e krijimit të skemave të përfitimeve të parakohëshme, të cilat shkaktonin efekte financiare dhe nevoja për fonde, të papërballueshme, ndërkohë që disbalanconin parimin e përfitimeve sipas sasisë së kontributeve;
3.Të vendosë një sistem të kontributeve dhe të procedurave të mbledhjes së tyre që i përshtateshin sistemit të ekonomise së tregut dhe që krijonin mundësinë e sigurimit të fondeve për balancimin e buxhetit të tij;
4.Të vendosë një sistem të indeksimit apo edhe të rritjes së përfitimeve individuale për të mbuluar efektet gryese të inflacionit;
5.Të krijojë premisat për përmirësimin e disa treguesve të performancës së sistemit të sigurimeve shoqërore si norma e varësisë, shkalla e mbulimit etj.
Në harkun e 5 viteve, përjashto vitin 1997, sistemi uli në mënyrë të ndjeshme financimet buxhetore, ndërkohë që mundësoi një rritje të pensioneve mbi nivelin e inflacionit, me qëllim ruajtjen e përvitshme të vlerës reale të pensioneve por edhe rikuperimin e disbalancimeve të mëdha të këtij treguesi në vitet 1991-1993.
Treguesit paraqiten më poshtë:
milionë lekë
1994 1996 1997 1998 1999
Të ardhurat nga kontributet 6407.5 12635.0 12212.0 15758.9 18107.8
Shpenzimet për përfitime 9465.4 13525.0 14207.0 17507.2 20015.4
Deficiti i financ. nga Buxheti 3057.9 890.0 1995.0 1748.3 1907.6
Në % ndaj shpenzimeve 32.3 6.6 14.0 10.0 9.5
Grafikisht treguesit paraqiten si më poshtë:
Zhvillimet e përgjithshme ekonomike dhe ato të fushës së sigurimeve shoqërore në veçanti, në periudhën 1994 – 2011, kanë diktuar domosdoshmërinë e marrjes së një vargu masash, me synimin që sistemi i sigurimeve shoqërore t’iu përshtatet zhvillimeve afatshkurtra dhe afatgjata të të gjithë sistemit ekonomik, strategjive të mbrojtjes sociale të shtetasve, standartizimit të dispozitave dhe përafrimin e tyre me kuadrin bazë ligjor të BE-së dhe standarteve bazë të mbrojtjes sociale të përcaktuara nga ILO, por edhe të qëndrueshmërisë financiare të tij.
Një ndryshim ligjor shumë i rëndësishëm dhe esencial i miratuar në vitin 1998, lidhet me reformimin e skemës së sigurimeve shoqërore për personat e vetëpunësuar në bujqësi dhe fokusohet në ndërtimin e një strategjie të barazimit gradual të pensioneve të reja të fshatit me ato të qytetit në një periudhë së paku, 14-15 vjeçare. Reforma e re, për personat që kanë histori kontributive si ish- kooperativistë, por edhe si persona të vetëpunësuar në bujqësi, përcaktoi llogaritjen e pensionit mujor të përbërë nga dy pjesë: një pension fshati (bazë), i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe një shtesë e cila është 1% e pagës minimale për çdo vit kontributiv pas vitit 1994, duke bërë të mundur një lidhje më të drejtpërdrejtë midis masës së pensionit mujor të fshatit dhe kontributit të paguar. Si pasojë e kësaj reforme dhe e procedurave administrative të përcaktuara për zbatimin e saj konstatohet se, ndërsa në harkun kohor 1994-1998 numri i kontribuesve që zhvillonin aktivitet bujqësor varionte nga 32-43 mijë persona, në vitin 1999 arriti në 113 mijë dhe në vazhdim evidentohet rritje e tij, vit pas viti duke arritur edhe deri në 270 mijë persona.
Mbi bazën formulës së re të llogaritjes së pensionit të fshatit, e koordinuar me masat e marra nga Këshilli i Ministrave për rritjen e pensionit bazë të fshatit me indekse shumë më të larta se indeksi i inflacionit dhe bazuar në derdhjen e kontributeve nga personat që zhvillojnë aktivitet bujqësor gjatë periudhës nga viti 1994 e në vazhdim, tashmë është arritur barazimi i masës mujore të pensioneve të reja të personave të vetëpunësuar në bujqësi me pensionet e qytetit. Në funksion të kësaj strategjie, por edhe të rritjes së pensioneve të fshatit të trashëguara nga legjislacioni para vitit 1993, është bërë i mundur jo vetëm barazimi i pensioneve të reja të fshatit me ato të qytetit, por edhe një rritje e ndjeshme e transfertave në buxhetet familjare dhe e të ardhurave mujore të pensionistëve, duke shërbyer njëherazi edhe si një faktor i rëndësishëm i reduktimit të varfërisë.
Të dhënat për pensionet e fshatit paraqiten grafikisht si më poshtë:
Evidentojmë, se ishte parashikuar që politikat e rritjes së shpejtë të përfitimeve në fshat të koordinoheshin dhe harmonizoheshin me rritjen dhe barazimin gradual edhe të kontributit të fermerëve me atë të të vetëpunësuarve në sektorin jobujqësor. Fakti që aktualisht pensioni i fshatit është barazuar me atë të qytetit, ndërkohë që kontributi është sa 1/3 e atij të qytetit, e bën këtë skemë me mjaft kërkesa për mbulim me financime buxhetore të formës kontributive apo subvencionuese.
Reformat të rëndësishme, të cilat kanë ndryshuar parametrat e sistemit, janë studiuar e miratuar edhe në harkun kohor 2002- 2009. Ndërmarrja e tyre diktohej nga një sërë faktorësh, ku ndër më kryesorët konsiderohen:
1.Deficiti i sistemit të pensioneve, që kishte arritur në rreth 1% të PBB dhe me parashikimet aktuariale që evidentonin përkeqësim të mëtejshëm të kësaj gjendjeje, konsiderohej i lartë;
2.Përqindja e kontributit për fondin e sigurimeve shoqërore që arrinte në 42.5 përqind të pagës, konsiderohej tepër e lartë dhe ndikonte drejtpërdrejt duke dekurajuar njerëzit për sigurimin formal, duke deformuar tregun e punës dhe duke u kthyer në të kundërtën e vet, pra duke siguruar më pak të ardhura për sistemin.
Mbi bazën e studimeve të kryera, dhe me konsulencën e FMN-së e Bankës Botërore, u miratuan nga Kuvendi dhe filluan të zbatohen:
1.Masat për shkurtimin e shpenzimeve të sistemit nëpërmjet reformës së rritjes graduale të moshës së përfitimit të pensionit, me gjashtë muaj në çdo vit nga viti 2002 deri në vitin 2012, vit në të cilin mosha e daljes në pension është 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë;
2.Norma e kontributit të sigurimeve shoqërore u reduktua me 4% në vitin 2002, në vitin 2006 u reduktua me 9% dhe në vitin 2009 me 5%, duke arritur në 24.5 % ose një reduktim prej 42.3%, ndërkohë që në funksion të kompensimit të të ardhurave dhe shmangies së lëkundjeve të mëdha financiare të skemës, në vitin 2002 u realizua rritja e tavanit të pagës mbi të cilën paguhen kontributet nga trefish në pesëfishin e pagës minimale;
3.Reforma e reduktimit të normës së kontributeve u mbështet edhe me masa administrative për përmirësimin e mbledhjes së tyre, ndër të cilat më kryesore konsiderohet strategjia e kalimit gradual të mbledhjes së kontributeve nga strukturat e sigurimeve shoqërore në ato të tatim-taksave, si dhe informatizimi i procedurave të deklarimit dhe kontrollit të pagesave.
Ecuria e treguesve më të rëndësishëm sintetike të skemës së sigurimeve shoqërore për periudhën paraqitet si vijon:
•Numri mesatar vjetor i kontribuesve në vitet e para të zbatimit të skemës ka ardhur në rënie ndërsa, pas vitit 1997 dhe sidomos në 5 vitet e fundit vërehet prirja e rritjes të numrit të kontribuesve, duke arritur numrin më të madh të kontribuesve në vitin 2011 me 735 mijë kontribues. Vërehet se rritja e kontribuesve në skemë në vitin e fundit kryesisht evidentohet në subjektet e bisnesit të vogël.
Grafikisht numri i kontribuesve në qytet në periudhën 2001 -2011 paraqitet si më poshtë:
•Të ardhurat nga kontributet në skemë paraqiten me rritje të theksuara nga viti në vit, duke përjashtuar vitin 1997. Në vitin 2011 ato arritën nivelin më të lartë ose 48.4 miliardë lekë. Megjithëse në 6 vitet e fundit norma e kontributit është reduktuar me 36%, të ardhurat nga kontributet janë rritur me 44%.
Grafikisht norma e kontributit dhe të ardhurat për periudhën 2002-2011 paraqiten si më poshtë:
•Numri i përfituesve, pas një rritje drastike në vitet 1992-1995, fillon e normalizohet në vitet e mëvonshme me rritje graduale deri në vitin 2002. Pas vitit 2002, si rezultat i reformës për rritjen e moshës së pensionit, kemi një rënie të ritmit të shtimit të pensioneve të reja. Ndërsa në vitin 2001 numri i përfituesve ishte 534.7 (540.4) mijë persona, në vitin 2011 arrin në 548.6 mijë persona me një rritje prej 2.6 (1.5)%;
•Treguesi i shpenzimeve të skemës së sigurimeve shoqërore ka shënuar të njëjtin trend sikurse numri i pensioneve, pra me rritje graduale në vite. Si pasojë e politikave të Qeverisë në fushën e pensioneve dhe fokusimit në rritjen e të ardhurave të pensionistëve, sidomos në 6 vitet e fundit, evidentohet rritje e ndjeshme e transfertave në buxhetet familjare. Në periudhën 2005-2011 transfertat në buxhetet familjare janë rritur me 73.7% me nje trend vjetor si më poshtë:
Ecuria e treguesve individuale dhe problemet që konstatohen
Me interes për të konstatuar qartë problemet është shqyrtimi i ecurisë së madhësisë së disa treguesve analitikë të sistemit, si ecuria e pensionit dhe e të ardhurave individuale, raporti i zëvendësimit, raporti i varësisë dhe shkalla e mbulimit.
Përfitimet mujore nga pensionet paraqesin ritmin e ngadaltë të rritjes së tyre në vite. Ndërsa kjo situatë e rritjes vjetore të masës së pensionit ka vështirësuar jetesën e pensionistëve, edhe pse ka qenë e detyruar për një periudhë tranzicioni të vështirë ekonomike, indirekt ka dëmtuar lidhjen midis kontributit dhe përfitimit, duke reflektuar fenomenin e evazionit të kontributeve nëpërmjet fshehjes së pagave, bile në përmasa të mëdha. Masat e marra sidomos në 5 vitet e fundit dhe vendosja e një skeme të kompensimit me të ardhura të përfituesve me pensione minimale ka sjellë si pasojë një rritje e përmirësim të të ardhurave të pensionistëve dhe cilësisë së jetesës së tyre. Krahasuar me vitin 2001, në vitin 2011 evidentohet një rritje e të ardhurave të pensionistëve me 59% ndaj 22% që është rritja e nivelit të indeksit të çmimeve. Masa mujore e pensioneve të qytetit në vitet e fundit e krahasuar edhe me inflacionin paraqitet si më poshtë:
Grafikisht të dhënat paraqiten si më poshtë:
•Koeficienti i zëvendësimit, shpreh raportin midis masës së pensionit mesatar me pagën mesatare. Gjatë periudhës 2001 – 2011 shkalla e zëvendësimit për skemën urbane përkeqësohet sidomos në vitet 2007 – 2009 pas rritjes me ritme të shpejta të pagës mesatare si pasojë e uljes së informalitetit pas hyrjes në fuqi të VKM nr. 285, datë 04.05.2007. Në vitet e fundit ka një farë stabilizimi duke arritur në 35.6% (37.4% për pensionet e plota). Nga ana tjetër, në skemën rurale, shkalla e zëvendësimit rritet gjatë gjithë kësaj periudhe si rezultat i rritjes më të shpejtë të masës së pensionit të fshatit ndaj rritjes së pagës minimale kontributive, duke arritur nga 15.7% në vitin 2001 në 41.5% në vitin 2011;
•Koeficienti i mbulimit, që shpreh raportin e numrit të kontribuesve ndaj forcave të punës, rezulton me rënie përkatësisht në periudhën 1994 – 1999. Më pas ky tregues ka një tendencë rritjeje duke arritur nga 33% në vitin 1994 në 67% në vitin 2011. Kjo dëshmon për zvogëlimin e dukurisë së evazionit të kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore që ka qenë një problem shqetësues;
•Koeficienti i varësisë, që shpreh raportin e përfituesve ndaj kontribuesve të skemës së sigurimeve shoqërore, është përkeqësuar nga viti në vit deri në vitin 2002 dhe duke filluar me një përmirësim në vitin 2003 e në vazhdim, për shkak të rënies së ritmit të rritjes së numrit të pensionistëve, por edhe të rritjes së numrit të kontribuesve. Megjithëkëtë, mbi madhësinë e koeficientit të varësisë ende vazhdojnë të ndikojnë negativisht njëherësh tre faktorë: numri ende i ulët i të punësuarve, akoma përqindja e të papunëve ndaj forcave të punës mbetet shumë e lartë; shkalla e lartë e punësimit në të zezë që sjell uljen e numrit të kontribuesve, si dhe përfshirja në skema të tjera e disa kategorive specifike pensionesh, siç janë ato të parakohshme, të cilët vazhdojnë të mbarten në skemën e detyrueshme.
Megjithëse një sërë treguesish të sistemit evidentohen mjaft të përmirësuar tashmë që gjendemi në vitin kur reforma e rritjes graduale të moshës së daljes në pension ka përfunduar, përsëri konstatohet një deficit i lartë i degës së pensioneve i cili arrin në afërsisht 1% të PBB dhe me tendenca përkeqësimi. Kjo gjendje e treguesve të sistemit dhe sidomos qëndrueshmëria e brishtë financiare e tij evidenton përsëri domosdoshmërinë e ndërmarrjes së masave për reformimin e sistemit si dhe kontributin e të gjitha palëve për të realizuar një reformë që do t’i rezistojë kohës dhe e pranueshme nga popullata. Studimet e ekspertëve kanë evidentuar fushat ku duhet të synohen përmirësimet si:
•Barazimi gradual kontributeve të fermerëve me ato të personave të vetëpunësuar në aktivitete jobujqësore, me synim uljen e subvencioneve të skemës së sigurimeve në fshat;
•Përmirësimet substanciale të rregullave dhe procedurave të mbledhjes së të ardhurave dhe adresimit të përfitimeve;
•Ndërmarrja e masave të plota për informatizimin e sistemit, përmirësimin e transparencës dhe të administrimit të tij ekonomik e financiar.
Reformat që do të ndërmerren do të duhet të japin zgjidhje të plotë dhe përfundimtare edhe çështjeve të tjera të konstatuara si:
•Vendosja e elementeve shtytës të rritjes së pjesëmarrjes dhe pagesës së kontributeve mbi pagat reale duke eleminuar faktorët që kanë çuar në shkëputjen e madhësisë së kontributit nga madhësia e pensionit, sidomos në rastet e kontribuesve me pagë mbi mesataren;
•Plotësimi i sistemit të sigurimeve shoqërore me të gjitha kolonat, me qëllim garantimin për të gjithë popullsinë të elementeve të sigurimit shoqëror të harmonizuar, por edhe duke rritur përgjegjësinë e individit për sigurimin e mjeteve financiare të mjaftueshme për pleqërinë;
•Përmirësimi i formulës së indeksimit të pensioneve dhe abrogimin e rregullave që çojnë në erozion të shpejtë të shkallës së zëvendësimit;
•Konsolidimi i rezultateve të reformës së uljes së normës së kontributeve dhe mbështetja e saj me masa të tjera si forcimi i rregullave të marrjes në punë dhe heqjes nga puna të personave të punësuar, të masave të sigurisë në punë, të kombinimit më të mirë të të ardhurës nga puna, taksave dhe nivelit të kontributit dhe në funksion të rritjes se te ardhurave te sistemit.
Mundësitë për të ndërmarrë reforma, zgjedhja e skemës ose ndryshimeve më të përshtatshme teorikisht janë të shumta, por suksesi apo mosmarrja e rezultateve të pritura prej tyre varet nga sasia dhe masat që merren për sigurimin e mjeteve financiare që do të financojnë sistemin.
Reformat e pensioneve, pavarësisht nga ndryshimet që kanë midis tyre, shtrihen dhe realizohen përmes kontribuesve dhe përfituesve, të cilët konsiderohen në «një banesë», prandaj çdo reformë strukturore do të mbajë mirë parasysh axhustimet parametrike që do të jenë të nevojshme për të mbajtur në balancë skemën e pensioneve publike. Personat që përfitojnë nga sistemet e sigurimeve i kanë merituar të drejtat e fituara dhe natyrisht kanë të drejtë të kërkojnë më shumë për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Detyra e brezit aktual të punësuar, por edhe e iniciatorëve të reformave në rradhë të parë është t’i garantojmë këto të drejta, t’i bëjnë ato më të qëndrueshme, por edhe të krijojnë iniciativa dhe përgjegjësi më të mëdha të secilit për veten.