Znj Braho, së pari ju uroj për detyrën. Keni marrë drejtimin e një institucioni me një peshë të madhe në buxhetin e shtetit dhe një peshë të madhe sociale. Cilat mendoni se janë sfidat e tua në këtë detyrë?

Faleminderit që më jepni mundësinë që përmes jush të komunikoj me publikun për projektet e një institucioni kaq të rëndësishëm në jetën e shumë shqiptarëve. Unë erdha në këtë detyrë si kandidaturë e PDIU-t dhe dëshiroj të falenderoj për besimin ndaj meje si të drejtuesve të partisë sime ashtu edhe të Ministrit të Financave për një detyrë kaq të rëndësishme, si në aspektin social, ashtu edhe për peshën e madhe që ka në buxhetin e shtetit. E kam ndjekur dinamikën e këtij institucioni dhe besoj se, përvoja ime në fushën e menaxhimit financiar, por edhe përvoja e rëndësishme e stafit që kam gjetur në ISSH, do të më shërbejë për të arritur objektivat lidhur me nje shërbim sa me të shpejtë dhe për një menaxhim të mire të parave të kontribuesve shqiptarë, me qëllimin që gjithkush të marrë atë që i takon dhe në kohën më të shpejtë.

-Është folur për disa reforma, ku parashikohet deri në verifikimin online të llogarive personale nga kontribuesit dhe pensionistët. A mund të na thoni, se në cilën fazë është ky projekt ambicioz?

Sistemet e sigurimeve shoqërore janë sisteme financiare që ndjekin trendin e zhvillimeve të shoqërisë dhe për rrjedhojë janë gjithnjë në reformim për tju përshtatur ndryshimeve. Përsa i përket pyetjes tuaj për verifikimin on line të llogarive personale, kjo ështe një reformë administrative që do të bëjë të mundur lehtësimin e punës, uljen e kohës së shërbimit ndaj qytetarit, rritjen e saktësisë së llogaritjev si dhe rritjen e transparencës ndaj klientëve tanë. Ky projekt është në zhvillim e sipër dhe po vazhdon puna për implementimin me sukses të tij. Në përfundim të këtij procesi, qytetarët shqiptarë kudo që të ndodhen do të kenë mundësinë për të kontrolluar llogarinë e tyre personale përsa i përket periudhave kontributive që kanë, kontributet e paguara ose përfitimet që ju takon.

-Cilat kanë qenë efektet e deritanishme të sfidës së dixhitalizimit të të dhënave. Domethënë, çfarë ka përfituar më shpejt qytetari në këtë proces?

Dixhitalizimi i të dhënave ka qënë dhe është një sfidë e vërtetë për sigurimet shoqërore për disa arsye. Së pari sfidë është ngritja e një sistemi informatik modern që të mund të ofrojë shërbimin e përmendur më sipër si dhe për të garantuar sigurine e të dhënave kontributive. Ky sistem është një sistem kompleks nga pikpamja e konceptimit dhe e ndërtimit të tij për vetë veccoritë e sigurimeve shoqërore shqiptare. Së dyti sasia e dokumentacionit që do të dixhitalizohet është e madhe, me cilësi të ndryshme të letrës për shkak të kohës kur është krijuar si dokumentacion por edhe të kushteve të ruajtjes se tij, me formate dhe shkrime dore të ndryshme gjë që nuk lejon përdorimin e mjeteve moderne të leximit të të dhënave por na detyron që të përdorim hedhjen manuale të tyre në sistem, dokumentacioni që dixhitalizohet në të njëjtën kohë përdoret si burim për lidhjen e përfitimeve të reja të përditshme. Përsa i përket përfitimit të qytetarit, ky përfitim është i dukshëm në kohën në të cilin jepen përfitimet dhe me kënaqësi konstatoj që koha e lidhjes së pensioneve është ulur ndjeshëm në një afat prej rreth 21 ditësh nga 60 ditë që parashikohet në ligj. Dhënia e vërtetimeve të ndryshme për qytetarët për atë pjësë të të dhënave të dixhitalizuar realizohet në një kohë rekord duke shmangur vonesat dhe abuzimet në këtë drejtim

-Viti 2012 ka qenë viti i parashikuar për përfundimin e reformës së rritjes së moshës. A pritet që përfundimi i kësaj reforme për atë pjesë që njihet si Kategori III, të rrisë brenda këtij vitit numrin e pensionistëve?

Viti 2012 është realisht viti kur përfundon rritja graduale e moshës së daljes në pension dhe në fakt pritet një rritje e numrit të personave që do të dalin në pension. Por nga ana jonë janë marrë të gjitha masat që pensionistët të marrin në kohë pensionin që ju takon si rezultat i kontributeve të paguara.

-Një grup pune i Bankës Botërore po konsulton së fundmi qeverinë për ndryshimet në skemën e pensioneve. Vetë Shefi i qeverisë është shprehur se ndan të njëjtin qëndrim me opozitën për nevojen e reformimit të skemës së pensioneve, duke përmendur domosdoshmërinë e vullnetit të përbashkët politik për të bërë të mundur diçka të tillë. Cili është opinioni juaj? Përse është i nevojshëm vullneti politik për të ndërmarrë një reformë të tillë?

Edhe unë si gjithë stafi teknik i ISSH-së ndajmë të njëjtin opinion përsa i përket reformës në sigurime shoqërore. Është domosdoshmëri konsensusi politik por edhe publik për suksesin e reformës së parashikuar në skemën e penioneve. Kjo domosdoshmëri vjen për faktin qe skema e pensioneve është afatgjatë, pra që kalon mandatin e disa qeverive, prek gjithë popullsinë e vendit dhe skema e pensionit i takon publikut shqiptar dhe nuk është pronë e asnjë force politike në vend. Gjithashtu, është e rëndësishme të arrihet ndërgjegjësimi i publikut për domosdoshmërinë për reformë dhe të mund të arrihet edhe konsensusi publik për llojin e reformës që planifikohet të merret.

-Çështja e ushtarakëve mbetet gjithnjë një çështje e hapur. A mund të na thoni me se si po shkon çështja e lidhjes për pensionet e parakohshme apo për rillogaritjen?

Nga pikpamja administrative, për ISSH, si organ i ngarkuar me ligj për menaxhimin dhe administrimin e skemës së trajtimit të ushtarakëve, me miratimin e pastaj me fillimin e zbatimit të ligjit nr. 10 142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, çështja e trajtimit të ushtarakëve tashmë është e zgjidhur.

Pra, ne si institucion vetëm zbatojmë ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi për këto lloj përfitimesh dhe trajtimesh të veçanta. Në këtë kontekst ne vazhdojmë të lidhim, rillogarisim dhe të paguajmë pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi për të gjithë ish ushtarakët që ju plotësohet dosja nga organet përkatëse si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme etj. Shpejtësia apo ngadalësimi i këtij procesi varet nga institucionet e linjës për dërgimin pranë nesh të dokumentacionit të parashikuar në ligj dhe aktet nënligjore. Unë mund të garantoj të gjithë këtë shtresë të qytetarëve që llogaritja e përfitimeve të tyre nga ana jonë do të bëhet në një kohë shumë të shkurtër.

Në këto kushte, si organ i ngarkuar me ligj ISSH dhe organet e tij vartëse në të 12 DRSSH-të ka organizuar punën për llogaritjen e dhënien e përfitimeve për të gjithë ata kategori ushtarakësh që janë subjekt i ligjit. I veçantë është fakti se me këtë ligj janë vënë në kushte përfitimi jo vetëm ushtarakët apo familjaret e tyre, kur ushtarakët ndërpresin karierën, por janë vënë në përfitim të pensionit suplementar të ushtarakut dhe ata ushtarakë të cilët për efekt të moshës janë në pension pleqërie. Në këtë këndvështrim dhe ngarkesa e punonjësve të sistemit ka qenë relativisht e lartë. Kështu nga data e fillimit të zbatimit të ligjit deri më tani janë llogaritur, rillogaritur e janë vënë nën pagesë:

1. 4100 pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi;

2. 4000 pensione suplementare.

Theksojmë se nga ana jonë janë marrë masa të plota duke monitoruar të gjithë procesin e llogaritjes apo të rillogaritjes së përfitimeve. Gjithashtu ju informojmë se ISSH vazhdon të botojë në faqen zyrtare të internetit listën emërore për pensionet e llogaritura sipas DRSSH-ve ku ushtarakët kanë qendrën e tyre të banimit.