U zhvillua në Tiranë, në datat 21-22 shtator 2022, raundi i parë i negociatave mbi Marrëveshjen Kuadër për Sigurime Shoqërore ndërmjet delegacionit të Republikës së Shqipërisë dhe delegacionit të Republikës së Kroacisë.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Olta Manjani me pjesëmarrjen edhe të Drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, ndërsa delegacioni kroat u kryesua nga Drejtoresha e Sistemit të Pensioneve, znj. Melita Čičak.

Të dyja palët shprehën dëshirën për të thelluar bashkëpunimin për finalizimin e një marrëveshjeje të plotë për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore midis dy vendeve tona, në përputhje me standardet e legjislacionit evropian në fushën e sigurimeve.

Delegacionet bën një prezantim të skemave të sigurimeve shoqërore të dy vendeve dhe në përfundim krerët e grupeve të punës parafirmosën tekstin e Marrëveshjes Kuadër, i cili do t’iu paraqitet qeverive respektive.

Nga kjo marrëveshje parashikohet të përfitojnë rreth 3,000 shtetas shqiptarë, ndërsa i hapet rruga garantimit të mbrojtjes së të drejtave në fushën e sigurimeve shoqërore shtetasve të të dy vendeve.

Raundi i ardhshëm i negociatave do të zhvillohet në dhjetor, në Kroaci.