

Intervistë e Drejtores së Përgjithshme të ISSH, znj. Vjollca Braho, në gazetën “Panorama”, faqe 6 – 7, datë 10 nëntor 2014.
Drejtoresha e ISSH, Vjollca Braho, sqaron përfitimet nga falja e kamatave e gjobat për të blerë vitet e pensionit. Tabela me pagesat nga 1993.
Minatorët do të jenë kategoria e parë e profesioneve të vështira që do të trajtohen në mënyrë të diferencuar nga qeveria dhe do të përfitojnë më herët pensionin.
Ndryshimet e fundit ligjore parashikojnë uljen e moshës së daljes në pension për këtë kategori nga 60 vjeç që është aktualisht, në 55 vjeç. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, në një intervistë për gazetën sqaron se përfituesit e parë të ndryshimeve ligjore janë 3740 minatorë. Ajo sqaron se është ulur edhe periudha e sigurimit nën tokë, ku nga 15 vjet që ishte më herët, pra gjysma e kohës së plotë të sigurimit, tashmë kjo periudhë duhet të jetë jo më pak se 12.5 vjet, ndërkohë që masa e pensionit ndryshon dukshëm edhe për ata që sot janë me trajtim të veçantë që nga viti 2001. Por, ISSH do të jetë zbatuesi edhe i një ndryshimi tjetër ligjor që fal kamatëvonesat për periudhën e sigurimit për të vetëpunësuarit në bujqësi. Të gjithë ata që kanë vite të pasiguruara nga viti 1993 deri në vitin 2014 mund të blejnë këto periudha sigurimi pa paguar kamatëvonesa, por vlerën e parë të sigurimit. Afati për të blerë këtë periudhë është deri në fund të dhjetorit të këtij viti. Gazeta boton të plotë tabelën e pagesës për të blerë vitet e punës që nga viti 1993 deri sot.
Me ligjin e ri, janë rreth 3740 minatorë që preken nga ndryshimi i moshës. Kush janë përfitimet përveç uljes së moshës?
Me ligjin e ri të miratuar para disa ditësh, është përcaktuar dalja në pension pleqërie për minatorët i cili ul moshën e daljes në pension për këtë kategori nga 60 vjeç në 55 vjeç. Personat që përfitojnë këtë ulje moshe duhet të plotësojnë kushtin e vjetërsisë në punë e cila është 30 vjet vjetërsi pune ose periudhë sigurimi nga të cilat 12 vjet e 6 muaj duhet të jenë punë nën tokë. E theksoj faktin që puna në minierë duhet të jetë detyrimisht nën tokë pasi ka edhe punë dhe profesione në minierë që realizohen mbi sipërfaqe. Përfitimet përveç uljes së moshës janë ulja e periudhës së punës nëntokë nga 15 vjet aktualisht në 12.5 vjet që është një ulje e konsiderueshme dhe rrit numrin e përfituesve sipas këtij ligji. Tjetër përfitim është për kategorinë e ish minatorëve që përfitojnë trajtim të veçantë si punonjës të nëntokës. Aktualisht, janë rreth 3600 ish minatorë që përfitojnë këtë trajtim të veçantë nga viti 2001 dhe ky trajtim është përfituar me një vjetërsi totale prej 23 vjetësh dhe me vjetërsi pune nën tokë prej 11.5 vjetësh. Për këtë kategori është parashikuar në ligj që me mbushjen e moshës 55 vjeç, kanë të drejtë të kalojnë në pension pleqërie edhe pse nuk plotësojnë kushtin prej 12.5 vjetësh nën tokë. Vlen të theksohet se ky numër është I madh dhe masa e përfitimit të tyre rritet nga 5000 -10000 lekë në muaj.
Çfarë duhet të bëjë një minator për të përfituar nga ligji i ri? I duhen dokumenta shtesë?
Për të përfituar këtë pension duhet të paraqiten të gjitha dokumentat e kërkuara për pension pleqërie si deri më tani. Nga ana jonë do të verifikohet saktësia dhe vërtetësia e këtyre dokumentave të paraqitura sipas përcaktimit të rregullores për pensionet dhe në veçanti puna e realizuar nëntokë, pasi kjo periudhë pune bën diferencën dhe jep privilegjin e daljes parakohe në pension me 10 vjet më herët se kategoritë e tjera të punës.
Po minatorët që janë aktualisht në pension, përfitojnë nga ndryshimi?
Siç e shpjegova me sipër, nga ky ligj do të përfitojnë të gjithë ish-minatorët që janë në trajtim të veçantë që kanë mbushur ose mbushin moshën 55 vjeç. Ndërsa përsa I përket ish minatorëve që tashmë gëzojnë statusin e pensionistit, ky ligj nuk ka ndikim. Kjo për faktin se në ligjin e pensioneve actual dhe të ligjit që hyn në fuqi në 1 Janar 2015 është shprehur qartë që pensionet e caktuara nuk janë objekt ndryshimesh por vetëm objekt I indeksimit të përvitshëm për të ruajtur aktualitetin e ndryshimeve të çmimeve.
Qeveri ka miratuar një tjetër ligj, atë të faljes së kamatvonesave dhe gjobave për të blerë vitet e sigurimit. Kush për fiton nga ky ndryshim?
Më lejoni të bëj një saktësim, ligji që po pyesni, fal kamatvonesat për kontributet e sigurimeve shoqërore vetëm për të vetëpunësuarit në bujqësi ose për fermerët dhe nuk fal gjoba të vendosura për kategori të tjera. Të vetëpunësuarit në bujqësi kanë një specifikë si në masën e kontributit që paguajnë, procedurave të mbledhjes ashtu edhe në blerjen e periudhave të mëparshme. Masa e kontributit për të vetëpunësuarit në bujqësi është një masë fikse, e cila përcaktohet çdo vit. Kjo masë është ndjeshëm më e ulët se kontributi që paguajnë të vetëpunësuarit urbanë ose ata që zhvillojnë aktivitetit në qytete. Të vetëpunësuarit kanë detyrimin që t’i derdhin këto kontribute mbi bazë tremujori dhe për mospagesë në afat aplikohen kamatvonesa të miratuara me ligj. Një veçori tjetër është që fermerët kanë të drejtën e pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqëore edhe për periudhat e kaluara me të njëjtën masë që ka qënë në vitin që do të paguajë plus kamatvonesat e llogaritura deri në momentin që paguhet. Pra, fermerët përveç privilegjit që paguajnë në masë më të ulët se të siguruarit e tjerë, kanë edhe privilegjin e pagimit të periudhave të kaluara me të njëjtën masë plus kamatvonesat. Për ta ilustruar këtë që sapo thashë, psh një fermer ka të drejtë të paguajë sigurimet e vitit 1994 me masën e atij viti që për zonat fushore është 1620 lekë dhe zonat malore 982 lekë në vit plus kamatvonesat. Megjithë aplikimin e kamatvonesave përsëri shuma që duhet të paguhet është shumë e ulët. Me faljen e kamatvonesave fermerët kanë të drejtë të blejnë psh vitin 1994 me 1620 lekë që është një shumë e papërfillshme, ndërkohë që një I vetëpunësuar në qytet paguan vetëm për një muaj afërsisht 5000 lekë.
Nga ky ligj, përfitojnë të gjithë fermerët që kryejnë aktivitet bujqësor dhe blegtoral dhe nuk kanë paguar kontributet ne vitet e mëparshme. Pra, kjo është një mundësi e shkëlqyer për të plotësuar vitet e sigurimit për një pension në mbushjen e moshës.
Cfarë dokumentash duhen për të blerë vitet e punës?,
Kriteret për të përfituar nga falja janë:
Fermerët duhet të jenë banorë të fshatit ose të nënqarkut ku kanë aktivitetin, të kryejnë aktivitet bujqësor apo blegtoral, të kenë tokë në pronësi apo me qera. Dokumentat që duhet të paraqisin janë: një dokument që vërteton që janë banorë të komunës apo nënqarkut ku kryhet aktiviteti bujqësor apo blegtoral, dokument të pronësisë të tokës si dokument hipotekor ose dokumentat e ndarjes së tokës sipas ligjit 7501, kontratë qeraje të tokës që kryejnë aktivitetin, një vërtetitm nga organet e pushtetit local që kryejnë ose kanë kryer aktivitet bujqësor apo blegtoral. Të gjitha këto dokumenta dorëzohen pranë inspektorit të sigurimeve shoqërore pranë çdo komune apo agjensie të sigurimeve shoqërore, të cilët pasi kontrollojnë rregullshmërinë dhe saktësine e tyre e pajisin fermerin me një dokument ku përcaktohet periudha e sigurimit dhe shuma që do të paguhet për këtë periudhë. Me këtë dokument fermeri kryen pagesën në degët e bankave të nivelit të dytë ose prane zyrave të Postës Shqiptare. Pas pagesës pajisen nga ana e inspektorit me dokumentin përkatës që vërteton pagesë e kontribuetit krahas mandat pagesës që vetë fermeri ka nga banka ose zyra postare. Duke shfrytëzuar këtë intervistë, këtë të drejtë e kanë edhe ata qytetarë që nuk jetojnë në fshat aktualisht por që kanë lëvizur drejt zonave urbane, por vetëm për atë periudhë që kanë jetuar dhe punuar në fshat. Psh, nëse një qytetar ka jetuar dhe punuar në tokën e vet deri në vitin 2000 dhe më pas është zhvendosur në një zonë urbane psh në Tiranë, ka të drejtë të paguajë kontributet si I vetëpunësuar në bujqësi nga 1 tetori 1993 deri në datën që ka ndryshuar vendbanimin në qytet. Krahas dokumentave që përshkrova më lart, qytetari duhet të paraqesë një çertefikatë nga gjendja civile ku të jetë shënuar qartë data e ndryshimit të vendbanimit nga fshati në zonë urbane. E rëndësishme për qytetarët është që të mos paguajnë kontribuete për periudhat që nuk kanë qënë banorë të fshatit dhe skanë kryer aktivitet bujqësor ose blegtoral pasi këto periudha janë objekt verifikimi dhe nuk do tju njihen si periudha sigurimi për përfitime.
Po ato kategori që i kanë blerë më parë vitet gjatë këtij viti, a përfitojnë rimbursim nga ligji i ri?
Për të gjithë personat që kanë blerë periudha të mëparshme duke paguar kamatvonesat nuk do të ketë efekt apo rimbursim të kamatvonesave. Efektet e ligjit nuk janë prapavepruese.
Kjo falje kamatvonesash është në përputhje me ligjin e ri dhe reformën e pensioneve tashmë të miratuar?
Në reformën e pensioneve që fillon zbatimin në fillim te vitit të ardhshëm është përcaktuar që mënyra e llogaritjes së pensioneve të fshatit është e njëjtë me pjesën tjetër të të siguruarve dhe nuk ka dy lloj skemash si deri më sot. Gjithashtu, është përcaktuar që masa e kontributit të fermerëvee do të rritet çdo vit deri në barazimin me të vetëpunësuarit në qytet në vitin 2018. Është sanksionuar e drejta e blerjes së periudhave të kaluara por jo më me masën e vitit që sigurohet por me masën e kontributit që është në vitin që paguhet. Kështu, nëse në vitin 2015 një fermer do të paguajë për vitin 1994 masa që do të paguajë nuk është 1620 lekë plus kamatvonesat por masën që është në vitin 2015. Për tju kthyer pyetjes Tuaj, kjo falje është në fuqi deri në 31 dhjetor 2014 dhe është një mundësi e fundit për fermerët për të siguruar vitet e nevojshme për pension me kuota preferenciale. Kjo falje do tju japë mundësi fermerëve për të siguruar një pension më të lartë sipas skemës së re dhe nuk bie ndesh me reformën e pensioneve. Do të theksoja që është një dhuratë shumë e mirë të cilën të gjithë fermerët duhet ta shfrytëzojnë pasi pas datës 31 dhjetor nuk do ta kenë më mundësinë të blejnë periudha me çmime të ulëta. Falja e kamatvonesave për fermerë që duan të blejnë periudha nga 1.10.1993 deri në 31.12.2014 është rreth 121000 lekë për zonat fushore dhe rreth 80000 lekë për zonat malore.
Ju përmendët më sipër zona fushore dhe zona malore. A mund të na thoni kush rrethe përfshihen në zonën malore dhe kush në zonën fushore?
Në zonën malore që ka edhe masë kontributi më të ulët përfshihen sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave rrethet, Tepelenë në rajonin Gjirokastër, Kolonjë në rajonin Korçë, Librazhd dhe Gramsh në rajonin Elbasan, Mirditë në rajonin Lezhë, Pukë dhe Malësi e Madhe në rajonin Shkodër, Skrapar në rajonin Berat, gjithë rajoni Dibër me rrethet Peshkopi, Mat dhe Bulqizë, gjithë rajoni Kukës me rrethet Kukës, Has dhe Tropojë. Të gjithë rrethet e tjera përfshihen në zonën fushore
A është bërë gati sistemi I ri për llogaritjen e pensioneve në janar?
Me miratimin e ligjit në Kuvend nga ana e ISSH janë përgatitur Projekt vendimet e Këshillit të Ministrave që duhet të dalin në zbatim të ligjit dhe do të miratohen së shpejti. Gjithashtu, janë hartuar dhe po punohet fort për rregulloret dhe udhëzimet e nevojshme për zbatimin korrekt të reformës. Është hartuar një plan trajnimi për të gjithë punonjësit e sigurimeve shoqërore për reformën dhe në janar të vitit të ardhshëm jemi plotësisht gati për zbatimin korrekt dhe të shpejtë të ligjit të ri.
Masa e kontributit per cdo vit sipas zonave
Nr. |
Vitet |
Masa vjetore e kontributit për t`u paguar (leke) |
|
Zona fushore |
Zona malore |
||
1 |
1993 |
405 | 243 |
2 |
1994 |
1,620 | 972 |
3 |
1995 |
1,620 | 972 |
4 |
1996 |
1,620 | 972 |
5 |
1997 |
1,620 | 972 |
6 |
1998 |
1,620 | 972 |
7 |
1999 |
1,620 | 972 |
8 |
2000 |
1,620 | 972 |
9 |
2001 |
1,620 | 972 |
10 |
2002 |
3,890 | 2,335 |
11 |
2003 |
5,215 | 3,592 |
12 |
2004 |
6,951 | 4,790 |
13 |
2005 |
7,820 | 5,390 |
14 |
2006 |
9,455 | 6,223 |
15 |
2007 |
10,000 | 6,500 |
16 |
2008 |
12,000 | 7,800 |
17 |
2009 |
13,600 | 8,840 |
18 |
2010 |
15,840 | 10,296 |
19 |
2011 |
19,440 | 12,636 |
20 |
2012 |
24,300 | 17,220 |
21 |
2013 |
28,250 | 21,483 |
22 |
2014 |
31,250 | 23,959 |
Periudha e paguar 21 vjet e 3 muaj |
201,376 | 139,083 |