Organizata Ndërkombëtare e Mbrojtjes Sociale (ISSA), është organizatë ndërkombëtare e cila bashkon institucionet dhe bordet drejtuese që merren me një ose më shumë aspekte të mbrojtjes sociale në vënde të ndryshme të botës.
ISSA u themelua në Bruksel më 04.10.1927, me emrin fillestar “International Social Insurance Conference” ISIC, me nxitjen e Organizatës Botërore të Punës (ILO) për të vendosur rregullore ndërkombetare për mbrojtjen sociale.
Në vitin 1944 Konferenca Ndërkombëtare e Punës në Filadelfia vendosi një koncept të ri për ISSA-n, si organizatë ndërkombëtare që drejton bashkëveprimin mes institucioneve të mbrojtjes shoqërore. Aktualisht ISSA ka 354 Institucione anëtare nga 153 vënde.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) bën pjesë në këtë Organizatë nga viti 1992 dhe paguan rregullisht kontributin vjetor të anëtarësisë. Si anëtare e ISSA-s, ISSH ka plotësuar të gjithë detyrimet; si shkëmbimi dhe dhënia e informacionit, botimi i zhvillimeve të fushës të sigurimeve shoqërore shqiptare në revistat e ISSA-s dhe pjesëmarrjen në aktivitetet e saj.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në prill të vitit 2010, u nderua me çmimin “Çertifikatë e Meritës për Praktikat e Mira”, nga Organizata Ndërkombëtare e Mbrojtjes Sociale (ISSA), me projektin “Mbulimi me sigurim shoqëror i emigrantëve, përmes skemës së sigurimit vullnetar”. Në këtë konkurim morën pjesë 19 institucione të sigurimeve shoqërore, nga 16 vende të Europës, me 32 projekte. Juria e çmimeve, e konsideroi praktikën e mbulimit me sigurim shoqëror nga skema e sigurimit vullnetar, si një praktikë e re për të gjitha vendet që kanë emigracion dhe nuk kanë realizuar marrëveshje bilaterale mes tyre. Vlerësimi ndërkombëtar lidhet me ndërtimin dhe menaxhimin e skemës së re të sigurimit vullnetar për asistimin e emigrantëve shqiptarë dhe rritjen e hapësirës së mbulimit me sigurim shoqëror. Rritja e nivelit dhe cilësise së shërbimit proklient nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, duke bashkëpunuar me patronatet kryesore në Itali, ishte dhe një arritje tjetër e këtij projekti.
Në konkursin e organizuar nga ISSA “Çmimi për Praktikat më të Mira të Europës 2013” ISSH mori pjesë dhe prezantoi Projektin e realizuar mbi “Modernizimin e sistemit informatik të Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, të financuar nga Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Kjo Reformë e realizuar nga ISSH për modernizimin e Institucionit në përgatitje për tu bërë pjesë e sistemit EESI (sistemit informatik të Evropës të Bashkuar), për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, rritur performancën, dhe luftuar korrupsionin u vlerësua nga ISSA. Sekretari i Përgjithshëm i ISSA-s, në vijim të aplikimit, në Letrën drejtuar Zj. Vjollca BRAHO, Drejtoreshë e Përgjithshme e ISSH, vlerësonte reformat e ndërmarra për modernizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe rezultatet e arritura.