ILO (Organizata Botërore e Punës)
ILO është organizatë e specializuar e Kombeve të Bashkuara, e themeluar në vitin 1919 për të promovuar drejtësinë sociale dhe të drejtat e punëtorëve. ILO formulon standartet ndërkombëtare në formën e konventave dhe rekomandimeve që duhet të ratifikohen nga shtetet anëtare.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me Ligjin nr. 9442, datë 16.11.2005 ratifikoi Konventën 102 të Organizatës Botërore të Punës (ILO) mbi “Sigurimet Shoqërore”, (Standartet minimale). Ky ligj hyri në fuqi në Shqipëri në 1 Janar 2006.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore raporton në mënyrë periodike për zbatimin dhe arritjet e standarteve në kuadër të Konventës 102. ILO, si donator, ka mundësuar për ISSH-në, realizimin e projekteve në asistencën dhe modernizimin e skemës të sigurimeve shoqërore.
KOMISIONI EUROPIAN
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, si të gjitha institucionet shqiptare, përmbush detyrimet që lindin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Raportimi periodik në Komisionin Evropian, në kuadër të Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit dhe “Zbatimit të Planit Kombëtar të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit”, për realizimin dhe arritjen e objektivave të përcaktuara, është një nga detyrat e realizuara në vazhdimësi nga ISSH. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) hyri në fuqi me 1 prill 2009. Në Raportimet periodike është theksuar se fokusi kryesor i Qeverisë Shqiptare në fushën e sigurimeve shoqërore është realizimi i reformës parametrike dhe sistemike për arritjen e standarteve të Bashkimit Evropian në përputhje me Nenin 99, të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, dhe neni 48, të MSA-së, mbi koordinimin e sistemeve të mbrojtjes shoqërore për shtetasit komunitarë, punonjës në territorin shqiptar dhe për shtetasit shqiptarë, punonjës në vendet e Bashkimit Evropian.
Gjatë këtyre viteve, ISSH, ka aplikuar me disa projekte për përballimin e sfidave të integrimit të skemës të sigurimeve shoqërore në skemat Evropiane, në kuadër të Programit “Instrumenti për Asistencën e Paraaderimit (IPA)” të Komisionit Evropian. Ky Instrument asiston dhe jep donacione për zhvillimin dhe modernizimin e vendeve që janë në procesin e integrimit në BE.
Në Instrumentin TAIEX (Asistenca Teknike dhe Shkëmbimi i Informacionit), që menaxhohet nga Drejtoria e Zgjerimit të Përgjithshëm të Komisionit Evropian dhe mbështet vendet partnere në lidhje me aplikimin, përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE, ISSH ka aplikuar në vazhdimësi. Në këto vite është aplikuar me projekte për asistencë dhe ekspertizë në fushat e përafrimit të legjislacionit të fushës, reformës parametrike të skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore, menaxhimit efikas të përfitimeve në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, administrimit dhe menaxhimit të sistemit on-line të informacionit, si pjesë e Sistemit EESSI (shkëmbimi elektronik i informacionit të sigurimeve shoqërore në BE), të ardhmes të skemës të vetëpunësuarve në bujqësi, etj.