Mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1042, datë 18.12.2020 “Për  shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit 2020”, shpërblimi do të jetë në masën 5,000 (pesë mijë) lekë për çdo pensionist apo përfitues nga sistemi i sigurimeve shoqërore.

Shpërblimin për festat e fundvitit 2020 do ta përfitojnë:

a) Personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

b) Personat që marrin pension, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe sipas Ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

c) Personat që marrin pension sipas Ligjit 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 9179, datë 29.01.2004 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;

ç) Personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas Ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

d) Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANC-it, sipas Vendimit 190, datë 03.05.1995 të Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e Ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

e) Personat që marrin pension per shkak të profesionit te veshtire, sipas nenit 5 të Ligjit 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

  • në datën 21 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 1-2 dhjetor;
  • në datën 22 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 3-4 dhjetor;
  • në datën 23 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 7-8 dhjetor;
  • në datën 24 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 9-10 dhjetor;
  • në datën 25 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 11-14 dhjetor;
  • në datën 26 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 15-16 dhjetor;
  • në datën 28 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 17-18 dhjetor;
  • në datat 29 – 31 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që nuk e kanë tërhequr pensionin në ditët e mëparshme të muajit;
  • Shpërblimet e patërhequra në dhjetor paguhen përgjatë ditëve në vazhdim, me paraqitjen e përfituesit në sportele.

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në mbledhjen e tij të radhës, zgjodhi me votim unanim znj. Delina Ibrahimaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë, kryetare të Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Znj. Ibrahimaj edhe më herët ka dhënë kontributin e saj si anëtare e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado zhvilloi një takim me drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

Gjatë fjalës së tij Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim të shtuar të të gjitha strukturave në rajone, me qëllim rritjen e performancës, si dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.

Në kuadër të programit të shpallur të Qeverisë për katër vitet e ardhshme, z. Hado nënvizoi rëndësinë e ofrimit të shërbimeve elektronike, të cilat ju mundësojnë qytetarëve marrjen në një kohë sa më të shkurtër të këtyre shërbimeve, shmangien e burokracive dhe radhët në sportele, kjo edhe në kushtet e diktuara nga pandemia Covid-19.

Shqipëria është duke përmbyllur procesin e hartimit dhe miratimit të Marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore me Kosovën.

Në këtë kuadër nga data 18-19 nëntor, Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia dhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado, zhvilluan në Prishtinë raundin e dytë të bisedimeve për projektmarrëveshjen dypalëshe.

Për palën e Kosovës, negociatat u drejtuan nga Udhëheqësja e Divizionit për Marrëdhënien në Punë, Dialog Social, Sigurinë dhe Shëndetin në Punë znj. Leonora Ahmeti, në prani edhe të Zëvendësministrit të Financave, Punës dhe Transfertave z. Ilir Kapiti.

Në përfundimit të takimeve u dakordësua për thellimin e bashkëpunimin, si dhe për të finalizuar marrëveshjen e plotë, për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin europian.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë:

  • përfitimet në para për barrëlindje për personat e punësuar;
  • personat e vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit;
  • përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar;
  • për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Hungarinë, Çekinë, Gjermaninë, Maqedoninë, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë dhe Belgjikën.

Deri tani 3,100 shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë brenda territorit të vendit kanë përfituar nga marrëveshjet dypalëshe, të lidhura.

Këto marrëveshje sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto vende.