Nën drejtimin e Kryetares, njëherazi dhe Ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj në datë 07 dhjetor 2021 u zhvillua mbledhja e rradhës e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Me vendim unanim, Këshilli miratoi projektin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pensionistëve me 5,000 lekë për festat e fundvitit 2021, si dhe rezultatin financiar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Efekti financiar për dhënien e bonusit është parashikuar në vlerën 3.5 miliardë lekë dhe një pjesë e tij do të financohet nga buxheti i ISSH-së.
Shpërblimet do të kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2021 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2021, ato të paguhen edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Gjatë mbledhjes, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado konfirmoi edhe një herë qendrueshmërinë financiare, si dhe performancën pozitive në grumbullimin e të ardhurave, tendencë e cila parashikohet të jetë e tillë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve, z. Astrit Hado zhvilloi një konferencë për shtyp me qëllim informimin e qytetarëve në lidhje me shpërndarjen e bonusit të fundvitit prej 5,000 lekë për 688 mijë pensionistët në të gjithë vendin.
Mbi 95,000 bonuse janë shpërndarë gjatë ditës së djeshme dhe sot ( deri në mesditë), ndërsa pritet që ky numër të vijojë të rritet, falë angazhimit të ISSH-së dhe institucioneve me të cilat bashkëpunohet për shpërndarjen e pensioneve.
Kategoritë që përfitojnë këtë lloj shpërblimi janë të gjithë pensionistët e pleqërisë, gjithë pensionistët familjarë, gjithë pensionistët e invaliditetit, ata që përfitojnë pension social, gjithë personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, përfshirë dhe ish ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes, policisë së shtetit, drejtorisë së burgjeve, zjarrfikësve, shërbimit informative shtetëror, dhe të gjithë kategoritë e tjera të cilat kanë dalë para kohe në pension, siç janë trajtimet e të veçanta të minatorëve, trajtimet e veçanta të ish punonjësve të policisë ushtarake gjithë minatorët metalurgët dhe naftëtarët që kanë dalë para kohe në pension. Pra, e gjithë gama e përfituesve që trajtohen nga ISSH marrin dhe përfitojnë këtë lloj shpërblimi.
“Këtë lloj shpërblimi e përfitojnë jo vetëm ata që në momentin që ka dalë vendimi kanë statusin e përfituesit, pensionistit apo me trajtim të veçantë, por edhe të gjithë ata qytetarë të cilëve kjo e drejtë u lind deri në datën 31 dhjetor 2021. Pra, edhe ata që mbushin moshën për të dalë në pension deri në datën 31 kanë të drejtën e përfitimit të këtij shpërblimi. Të gjithë ata që nuk kanë mundësi ose nuk duan ta tërheqin këtë lloj shpërblimi gjatë ditëve të mbetura të muajit dhjetor, e kanë këtë të drejtë që ta marrin në momentin kur ata tërheqin pensionin dhe kjo e drejtë ruhet deri në 36 muaj, pra për aq kohë sa pensionisti nuk humbet të drejtën për të marrë pensionin e vet, njëkohësisht nuk humbet as të drejtën për të marrë shpërblimin”, tha z.Hado.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së sqaroi se për të eliminuar radhët e marrjes së shpërblimit, por njëkohësisht për të respektuar dhe masat anti-Covid është hartuar një grafik së bashku me Postën Shqiptare ( Aneksi më poshtë), që gjatë paradites do të jepet kësti mujor i pensionit për muajin dhjetor plus shpërblimin, ndërsa nga mesdita deri në momentin që zyrat e postës shqiptare do të jenë zyrat hapura, deri nga ora 18.00 apo më vonë do të marrin vetëm shpërblimin ata pensionistë që e kanë marrë pensionin deri më datën 15. Për shembull, data e djeshme 16 dhe e sotmja 17 është ezauruar dhe të gjithë ata që kanë marrë pensionin nga data 1 deri në datën 15 janë planifikuar, sipas grafikut, që ta marrin shpërblimin në orët e pasdites, deri në 31 dhjetor, me qëllim që të mos mbetet asnjë pensionist që ka dëshirë që ta tërheqë pensionin brenda dhjetorit, por njëkohësisht edhe të mos krijohen grumbullime njerëzish dhe të respektohen masat antiCovid.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të jetë në dispozicion të plotë të të gjithë kategorive përfituese në mënyrë që ky shpërblim të disbursohet i plotë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare sh.a. pasqyrojnë grafikun e pagesave të shpërblimeve të fundvitit 2021, si më poshtë:
Zyrat Postare të shpërndarjes së pensioneve, duke filluar nga dita e Premte, datë 16.12.2021 deri në datë 30.12.2021, sipas grafikut të pagesës së pensionit, do t’u paguhet pensionistëve edhe shpërblimi i fundvitit 2021.
Pensionistëve që e marrin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, shpërblimi i fundvitit do të kalohet në llogarinë bankare të çelur për kreditimin e pensionit mujor. Kalimi i shpërblimit në llogarinë bankare do të bëhet në datën 20.12.2021. Pensionistet që e kanë marrë pensionin e muajit dhjetor 2021 përpara datës 16.12.2021 dhe ata që do të paguhen pas kësaj date mund ta tërheqin shpërblimin e fundvitit sipas grafikut të mëposhtëm. • në datën 17 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 1 dhjetor 2021, • në datën 18 dhjetor do te tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në ketë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 2 dhjetor. • në datën 20 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 3 dhjetor. • në datën 21 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në ketë date dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 6-7 dhjetor. • në datën 22 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 8- 9 dhjetor. • në datën 23 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kane tërhequr pensionin në datën 10 dhjetor. • në datën 24 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kanë tërhequr pensionin në datën 13 dhjetor. • në datën 27 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kane tërhequr pensionin në datën 14-15dhjetor. • në datën 28 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe ato që e kane tërhequr pensionin në datën 16 dhjetor. • në datën 29 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe raste të tjera që nuk janë paguar sipas grafikut në ditët më përpara. • në datën 30 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin këtë datë dhe raste të tjera që nuk janë paguar sipas grafikut në ditët më përpara. • Për pensionistet që e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 17 dhjetor e në vazhdim. • Shpërblimet e pa tërhequra në dhjetor paguhen përgjatë viteve në vazhdim, sipas nenit nr 62 të ligjit nr 7703 dt 11.05.1993, i ndryshuar, me paraqitjen e përfituesve në sportele. Posta Shqiptare siguron likuiditete fizike për mbulimin e pagesave. Drejtoritë Rajonale dhe Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore bashkëpunojnë me Degët dhe Filialet e Postës Shqiptare sh.a, realizojnë mbushjen e llogarive të Filialeve dhe Degëve të Postës Shqiptare , bazuar në numrin e pensionistëve dhe sipas këtij grafiku, duke bashkëpunuar për realizimin e pagesave të shpërblimit në Zyrat Postare në zonat Rurale. |
Instituti i Sigurimeve Shoqërore, duke marrë shkas nga emisioni i datës 10 shkurt 2022, i transmetuar nga “Fix Fare”, në Top Channel, dëshiron të shprehë keqardhjen për evidentimin e këtij rasti të izoluar, të mitmarrjes, të ndodhur në Agjencinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Pogradec.
Menjëherë pas marrjes në dijeni të rastit, ku qytetarja Mimoza Bejko ( dhënë me regjistrim me figurë nga televizioni) ka denoncuar për mitmarrje punonjësen Arjana Beholli, u urdhërua nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z.Astrit Hado, pushimi i saj nga puna.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore dëshiron të inkurajojë të gjithë qytetarët, të cilët mund të ndeshen me raste të ngjashme abuzimi, që të denoncojnë përmes kontakteve në faqen zyrtare të ISSH-së, www.issh.gov.al, si edhe nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes (shqipëriaqëduam.al).
Falënderojmë emisionin investigativ “Fix Fare” për trajtimin e problematikës dhe denoncimin e rastit, duke i inkurajuar gazetarët për përmbushjen e detyrës së tyre për informimin e opinionit publik.
Nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj sjelljeve jo korrekte dhe kundër Ligjit, që mund të evidentohen nga çdo punonjës i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Jemi plotësisht të angazhuar në ofrimin e shërbimeve me standarde, pa kosto dhe brenda të gjitha afateve të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
Shprehim edhe një herë keqardhjen për këtë ngjarje të shëmtuar dhe do të vijojmë marrjen e masave dhe forcimin e procedurave të kontrollit, për të garantuar moscënimin e imazhit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve z. Astrit Hado priti në një takim kortezie Zëvendësdrejtorin e Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore të Zvicrës, z. Stefan Cueni.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e deritanishme, të shkëlqyera, mes dy institucioneve dhe puna që është bërë për hartimin e kuadrit ligjor për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes shoqërore mes dy vendeve tona.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado e konsideroi të rëndësishme këtë marrëveshje, e cila mundëson trajtimin e barabartë të shtetasve të të dyja vendeve dhe ju siguron atyre bashkimin e periudhave të siguruara, pa humbur asnjë ditë.
Edhe Zëvendësdrejtori i Zyrës Federale të Sigurimeve Shoqërore të Zvicrës z. Stefan Cueni vlerësoi pozitivisht të gjithë ecurinë e këtij procesi dhe punën e bërë nga stafet teknike të të dyja palëve.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes Kuadër, i hapet rruga ratifikimit nga parlamentet e shteteve respektive.
Negociatat me Konfederatën Zvicerane nisën në maj të vitit 2017 dhe 2018-ën, me tre raunde, që u finalizuan me hartimin e Marrëveshjes Kuadër dhe Marrëveshjes Administrative.
Kjo marrëveshje siguron parimet bazë:
- Trajtimin e barabartë me shtetasit e shtetit kontraktues;
- Bashkimin e periudhave të siguruara me të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre, me kusht që ato të mos mbivendosen;
- Me qëllim për të përmbushur periudhën minimale të sigurimit të nevojshme për t’u pajisur me të drejtën për përftime, do të merren në konsideratë edhe periudhat e sigurimit të realizuara sipas legjislacionit zviceran, me kusht që këto periudha të mos mbivendosen me periudhat e sigurimit shqiptar dhe që periudha minimale e sigurimit shqiptar të jetë 1 vit;
- Eksportim të përfitimeve, e cila nënkupton që çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ndodhet;
- Periudhat e sigurimit sipas legjislacionit të shteteve të treta, që nënkupton: Nëse një person sipas legjislacionit shqiptar dhe duke marrë në konsideratë periudhat e sigurimit të të dy shteteve kontraktuese sipas nenit 18, nuk ka të drejtë për përfitime, atëherë për përcaktimin e të drejtës për përfitime do të konsiderohen edhe periudhat e sigurimit sipas legjislacionit të shteteve të treta, me të cilët Shqipëria ka marrëveshje mbi sigurimin shoqëror, e cila parashikon bashkimin e periudhave të sigurimit;
- Bashkëpunim midis institucioneve kompetente zbatuese, të cilat përcaktojnë procedurat dhe formularët për zbatimin e marrëveshjeve bazë, të ratifikuara nga qeveritë përkatëse.
Rreth 2,000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Zvicër, pa përfshirë shtetasit shqiptarë me shtetësi të dyfishtë, do të mund të përfitojnë nga kjo Marrëveshje.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi analizën vjetore për vitin 2021, ku e pranishme ishte edhe Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Olta Manjani.
Për vitin 2021, ISSH pati performancë pozitive të të ardhurave dhe qëndrueshmëri në likuiditet.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado, tha se, të ardhurat në total nga kontributet e sigurimeve shoqërore për vitin 2021, në rang vendi, u realizuan në masën 94.8 miliardë lekë ose në 103,9%, me një tejkalim prej 3.5 miliardë lekë, në krahasim me vitin 2020.
Sistemi i sigurimeve shoqërore e mbylli vitin 2021 me një rezultat fiskal pozitiv me rreth 4.6 miliardë lekë tejkalim të të ardhurave, mbi shpenzimet për pagesat e përfitimeve dhe për administrimin. Kjo ecuri ndikoi pozitivisht në uljen me rreth 14% të mbështetjes nga buxheti i shtetit.
Gjatë fjalës së tij, z. Hado vlerësoi faktin se ISSH ka shënuar gjithashtu progres të lartë sa i takon ofrimit të shërbimeve online, ku gjatë vitit 2021, nga 286,941 aplikime në total 87% janë bërë elektronikisht. Kjo ka sjellë reduktim të kohës së marrjes së këtyre shërbimeve, si dhe ulje të vizitave në sportele.
Në mars 2021, u realizuan të gjitha procedurat teknike për indeksimin e pensioneve për mbi 703 mijë përfitues me një efekt financiar prej 2.4 miliardë lekë.
Po gjatë vitit të kaluar u realizuan në një kohë rekord procedurat teknike dhe financiare të dhënies së shpërblimeve për mbi 680 mijë përfitues, me një efekt financiar prej rreth 3.5 miliardë lekë.
Rritja me 5.74% e numrit të kontribuesve, krahasuar dhe me të gjithë situatën e numrit të kontribuesve në vite, solli përmirësim në raportin kontribuues kundrejt përfituesve të pensionit të pleqërisë të skemës së detyrueshme.
Përfitimet e pensionistëve, pra transfertat në buxhetet familjare, nga fondet e sigurimeve shoqërore arritën në 148,030 milionë lekë, kundrejt 134,152 milionë lekë që ishin në vitin 2020.
Nga 44,272 pensione të reja të caktuara në zbatim të Ligjit nr. 7703/1993, i ndryshuar, 98% u lidhën brenda afateve ligjore, me një kohë mesatare 25 ditë.
Numri i pensioneve për vitin 2021 rezultoi në 673,813 persona, me një shtesë neto prej 7, 950 pensione, në krahasim me vitin 2020.
Performanca pozitive e institucionit u vlerësua edhe nga zëvendësministrja Manjani, e cila konfirmoi mbështetjen për të çuar përpara reformat për digjitalizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore, shërbimeve, por edhe për të shtuar pjesëmarrjen aktive për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore edhe gjatë viti 2022 do të vijojë punën për rritjen e cilësisë së shërbimeve, informimin, transparencën sa më të plotë ndaj qytetarëve, uljen e kohës së caktimit të pensioneve, si dhe rritjen e aftësimit profesional të punonjësve.
Në kuadër të Paketës së Rezistencës Sociale, që po zbaton Qeveria shqiptare, Instituti i Sigurimeve Shoqërore filloi sot në datë 1 Prill 2022 shpërndarjen e të gjitha pensioneve të indeksuara, që trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, në masën 3.3%, me një efekt financiar prej 3.3 miliardë lekësh. Nga ky indeksim do të përfitojnë 673,813 pensionistë në mbarë vendin.
Gjithashtu nisi dhe dhënia e shpërblimit prej 3,000 lekë, për një periudhë 3- mujore, për disa kategori të veçanta, me qëllim zbutjen e efekteve të ndryshimeve të çmimeve të mallrave të konsumit, të ndikuara nga kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Nga kjo masë do të përfitojnë 576,381 familje dhe individë, përfitues të programit të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar, dhe pensionistë invaliditeti, familjar dhe pleqërie, nga skema e sigurimeve shoqërore. Efekti financiar llogaritet në rreth 5. 2 miliardë lekë. Kjo masë do të përfitohet vetëm një herë për periudhën prill-maj-qershor dhe nuk do të jetë e mundur mbartja e tij në periudhat pasardhëse.
Kategoritë përfituese të përcaktuara në Paketën e Rezistencës Sociale janë:
a) Familjet dhe individët përfitues të ndihmës ekonomike, të përcaktuar në nenin 7, të Ligjit nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
b) Individët përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të nenit 8, të Ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
c) Individët përfitues të statusit, sipas Ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas Ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar;
d) Personat, që përfitojnë pension invaliditeti, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
dh) Personat, që përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
e) Personat, që përfitojnë pension pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe masa e pensionit mujor të tyre është më e ulët ose e barabartë me 50% të pagës minimale neto në shkallë vendi;
ë) Kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie, sipas Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe përfitojnë kompensim për efekt të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, sipas Vendimeve të Këshillit të Ministrave nr.565, datë 9.8.2006, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”, nr.238, datë 7.4.2010, “Për një ndryshim në Vendimin nr.565, të Këshillit të Ministrave, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike””, nr. 8, datë 14.1.2015, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 Kwh në muaj”.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është i angazhuar për informimin e qytetarëve dhe për realizimin e plotë dhe me sukses të këtij procesi, i cili ka për qëllim t’iu vijë në ndihmë kategorive më në nevojë të shoqërisë dhe për të cilin janë të disponueshme të gjitha fondet e nevojshme.