•  test
  •  

Në kuadër të vazhdimit të bisedimeve për marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës për pension, në datat 8 dhe 9 gusht 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Tiranë, u zhvillua takimi ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies të Republikës së Kosovës, dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë.

Gjithashtu në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe në frymën e bashkëpunimit konstruktiv.

  •  test
  •  

Në  datat 6 – 8 shtator 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u zhvillua takimi përfundimtar me homologët austriakë, për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren gjatë implementimit të Marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë.

Si rezultat i kësaj Marrëveshjeje do të mundësohen përfitimet nga skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, për gëzimin e të drejtave të fituara nga personat që kanë jetuar dhe punuar në Republikën e Austrisë dhe anasjelltas, me qëllim që asnjë kontribut të  mos humbasë, por të merret në konsideratë, në mënyrë që të sigurohet e drejta për përfitim, në interes të qytetarëve.

Marrëveshja kuadër është miratuar ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 637, datë 07.09.2016, dhe së shpejti do të nënshkruhet nga ministrat homologë të të dy vendeve.

  •  test
  •  

Në datën 15 shtator 2016 në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua analiza 8-mujore e punës me drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, mbi realizimin e detyrave për periudhën janar – gusht 2016.

Gjatë këtij takimi theksi u vu në zbatimin me korrektësi të ndryshimeve në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, të ndryshuar dhe akteve normative në zbatim të tij.

U diskutua mbi përgatitjen e dokumentacionit për zbatimin e procedurave të faljes së detyrimeve të ushtarakëve, si dhe të kthimit të lekëve të mbajtura, menjëherë pas miratimit nga KM.

Gjithashtu vend të veçantë në diskutimet nga të pranishmit zuri dhe zbatimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave për rastet e periudhave të sigurimeve shoqërore të evidentuara me laps para vitit 1993, si dhe zgjidhjeve të problemeve përsa i përket mangësive në rregjistrat e ndërmarrjeve.

  •  test
  •  

Në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr. 23/2016, datë 10.03.2016, në datat 20-21 shtator 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u organizua takimi për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren në implementimin e kësaj Marrëveshjeje. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues nga institucionet përkatëse të të dy vendeve.

Nga zbatimi i kësaj marrëveshje do të mundësohet njohja dhe mbrojtja e kontributeve të paguara nga shtetasit që kanë qenë subjekt i legjislacioneve respektive në të dy vendet, duke bërë të mundur që asnjë kontribut i tyre të mos humbasë, por të merret në konsideratë në llogaritjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni.

Kjo Marrëveshje është e një rëndësie të veçantë për arsye të numrit të madh të shtetasve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë pranë shtetit gjerman, duke bërë të mundur garantimin e të drejtave të tyre, pa i humbur ato për arsye të lëvizjes dhe punësimit të lirë.

  •  test
  •  

Në datat 22-24 nëntor 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u organizua takimi për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren në implementimin e marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 34/2016, datë 24.03.2016.

 Nga zbatimi i kësaj Marrëveshjeje do të mundësohet njohja dhe mbrojtja e kontributeve të paguara nga shtetasit që janë subjekt i legjislacioneve respektive në të dy vendet, duke bërë të mundur që asnjë kontribut i tyre të mos humbasë, por të merret në konsideratë në llogaritjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni.

 Kjo Marrëveshje hyn fuqi duke filluar nga 1 shkur 2017.

  •  test
  •  

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Blendi Klosi, iu kërkoi sot drejtorëve të Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore që ta konsiderojnë çdo ditë të dhjetorit si një betejë për të arritur objektivat për të ardhurat e të vetëpunësuarve.

Në takim u analizuan të gjithë treguesit e çdo DRSSH, duke vënë theksin në gjetjen e rrugëve për zgjerimin edhe më shumë të hartës të të siguruarve të vetëpunësuarve në bujqësi, duke bërë të mundur që çdo familje që siguron të ardhurat përmes bujqësisë të jetë pjesë e skemës, që gjithkush të ketë mbrojtjen e duhur sociale në moshën e tretë.