Në të gjithë vendin ka nisur shpërndarja e Bonusit të fundvitit për pensionistët dhe për të gjitha kategoritë e tjera përfituese nga skema shoqërore, pas miratimit të Vendimit nga Këshilli i Ministrave.

Në këtë Vendim parashikohet dhënia e një shpërblimi financiar në masën 5,000 lekë për personat që përfitojnë pension dhe/ose trajtime të tjera financiare.

Gjithashtu parashikohet dhënia e një kompensimi financiar, në masën 6,000 lekë për 66,107 persona që përfitojnë pension invaliditeti.

Bëjmë me dije se shpërblimi financiar, në masën 5,000 lekë do të përfitohet nga këto kategori:

  • 573,366 persona, që përfitojnë pension pleqërie, 66,107 që përfitojnë pension invaliditeti, 43,489 persona që përfitojnë pension familjar, 2,281 persona në pension social, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe sipas Ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
  • 1,490 persona, që marrin pension sipas Ligjit 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas Ligjit nr. 9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
  • 6,520 persona, që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas Ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
  • 8 persona që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, sipas Vendimit nr. 190, datë 3.5.1995 të Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e Ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të Ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
  • 16 persona që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm me nenin nr. 5. 5/1/a ose 5/1/b të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
  • 1,191 persona që nuk përfitojnë pension nga Ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, por përfitojnë pension suplementar të caktuar sipas Ligjit nr. 8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
  • 833 persona, që marrin pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5 të Ligjit 29/2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Shpërblimet do të kalojnë në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2022 dhe do të paguhen gjatë këtij muaji.

Në VKM përcaktohet se e drejta e tërheqjes së këtij shpërblimi ruhet deri në 36 muaj nga data e miratimit të këtij Vendimi, periudhë e njëjtë me parashkrimin e të gjithë përfitimeve që jepen nga legjislacioni i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Të drejtën për këtë shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 31.12.2022 përfshirë edhe këtë datë.

Gjithashtu të gjithë ata pensionistë që e kanë tërhequr pensionin në datën 1 Dhjetor, mund të tërheqin në vazhdim bonusin, aty ku ata marrin rregullisht pensionin e tyre.

Mbetemi të angazhuar për të ofruar shërbimet tona ndaj qytetarëve me korrektësi dhe profesionalizëm.

Në Tiranë, u zhvillua raundi i parë i negociatave me vendin fqinj, në përfundim të të cilit u nënshkrua Marrëveshja Kuadër, në fushën e sigurimeve shoqërore, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Olta Manjani, ndërsa delegacioni malazez u kryesua nga Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, znj.Edina Dešić.

Gjatë negociatave mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, i cili prezantoi në mënyrë të detajuar funksionimin e skemës shqiptare të sigurimeve.

Këto negociata u zhvilluan në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të plotë mes të dyja palëve, ndërsa raundi i ardhshëm do të zhvillohet në Podgoricë.

Janë rreth 2,500 shtetas shqiptarë, kryesisht sezonalë, të cilët punojnë në vendin fqinj dhe që parashikohet të përfitojnë nga kjo marrëveshje, e cila pasi të kalojë të gjitha proceset teknike, do të kërkojë edhe ratifikimin nga Parlamentet respektivë për të hyrë në fuqi.

Shqipëria ka aktualisht në fuqi 11 marrëveshje dypalëshe, ndërsa 6 janë në proces diskutimi.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore po intensifikon punën për të rritur numrin e marrëveshjeve dypalëshe, që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë,  të cilët nga bashkimi i periudhave do të kenë mundësi të plotësojnë kushtet ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Në Podgoricë të Malit të Zi u nënshkrua Marrëveshja Administrative në fushën e sigurimeve shoqërore, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Olta Manjani dhe pjesë e tij ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado.

Pala shqiptare përmes kësaj marrëveshje do të sigurojë përfitimin e disa shërbimeve, si pensionin e pleqërisë, përfitimet e barrëlindjes, pensionin familjar, atë të  invaliditetit etj..

Mbrojtja, gjithashtu siguron dhe mbulon periudhat e pagesës së kontributeve ose periudhave të barasvlershme, të njohura nga ligjet e secilit prej dy shteteve.

Janë rreth 2,500 shtetas shqiptarë, kryesisht sezonalë, të cilët punojnë në vendin fqinj dhe që parashikohet të përfitojnë nga kjo marrëveshje, e cila pasi të kalojë të gjitha proceset teknike, do të kërkojë edhe ratifikimin nga Parlamentet respektivë për të hyrë në fuqi.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore po intensifikon punën për të rritur numrin e marrëveshjeve dypalëshe, që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë,  të cilët nga bashkimi i periudhave do të kenë mundësi të plotësojnë kushtet ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Në Tiranë, u zhvillua raundi i dytë i diskutimeve teknike mes palës shqiptare dhe asaj greke, mbi skemat e sigurimeve shoqërore. 

Delegacioni grek i kryesuar nga Drejtoresha e Sigurimeve dhe Benefiteve në Ministrinë e Punës, Sigurimeve Shoqërore dhe Mirëqenies, znj. Anna Rizou, u njoh nga afër me punën që realizon Instituti i Sigurimeve Shoqërore për mbulimin e të gjithë popullsisë me elementë të sigurimeve shoqërore, por edhe me sfidat për modernizimin e mëtejshëm të sistemit.  

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve, z. Astrit Hado, bëri një analizë të thelluar të funksionimit të skemës së sigurimeve shoqërore, me theks të veçantë ofrimin elektronik të shërbimeve, që kanë revolucionalizuar tërësisht marrëdhënien mes administratës dhe qytetarëve.  

Diskutimet u zhvilluan në frymë të plotë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të angazhimit për ta vijuar atë edhe në fazat e ardhshme.  

Në fund të bisedimeve teknike, Drejtori i Politikave të Punësimit dhe Aftësimit Profesional në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, z.  Albin Gega dhe  Drejtoresha e Sigurimeve dhe Benefiteve në Ministrinë e Punës, Sigurimeve Shoqërore dhe Mirëqenies znj. Anna Rizou nënshkruan mbi dakortësinë e  tyre.  

Ky takim pason atë të zhvilluar në Athinë në shtator të vitit të kaluar dhe tregon vullnetin pozitiv që kanë palët për të bërë të mundur arritjen sa më shpejt të një marrëveshje të përbashkët, aq shumë të dëshiruar nga bashkatdhetarët tanë, por edhe qytetarët grekë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.