Shqipëria është duke përmbyllur procesin e hartimit dhe miratimit të Marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore me Kosovën.

Në këtë kuadër nga data 18-19 nëntor, Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Besart Kadia dhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado, zhvilluan në Prishtinë raundin e dytë të bisedimeve për projektmarrëveshjen dypalëshe.

Për palën e Kosovës, negociatat u drejtuan nga Udhëheqësja e Divizionit për Marrëdhënien në Punë, Dialog Social, Sigurinë dhe Shëndetin në Punë znj. Leonora Ahmeti, në prani edhe të Zëvendësministrit të Financave, Punës dhe Transfertave z. Ilir Kapiti.

Në përfundimit të takimeve u dakordësua për thellimin e bashkëpunimin, si dhe për të finalizuar marrëveshjen e plotë, për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin europian.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë:

  • përfitimet në para për barrëlindje për personat e punësuar;
  • personat e vetëpunësuar si dhe për punëdhënësit;
  • përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar;
  • për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Hungarinë, Çekinë, Gjermaninë, Maqedoninë, Luksemburgun, Bullgarinë, Austrinë, Turqinë dhe Belgjikën.

Deri tani 3,100 shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë brenda territorit të vendit kanë përfituar nga marrëveshjet dypalëshe, të lidhura.

Këto marrëveshje sigurojnë mbrojtje shoqërore për qytetarët shqiptarë që jetojnë në këto vende.

Nën drejtimin e Kryetares, njëherazi dhe Ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj në datë 07 dhjetor 2021 u zhvillua mbledhja e rradhës e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Me vendim unanim, Këshilli miratoi projektin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pensionistëve me 5,000 lekë për festat e fundvitit 2021, si dhe rezultatin financiar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Efekti financiar për dhënien e bonusit është parashikuar në vlerën 3.5 miliardë lekë dhe një pjesë e tij do të financohet nga buxheti i ISSH-së.

Shpërblimet do të kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2021 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2021, ato të paguhen edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Gjatë mbledhjes, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado konfirmoi edhe një herë qendrueshmërinë financiare, si dhe performancën pozitive në grumbullimin e të ardhurave, tendencë e cila parashikohet të jetë e tillë edhe gjatë vitit të ardhshëm.