I nderuar z. Ministër,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Administrativ,
Të nderuar të ftuar,
Kam nderin dhe përgjegjësinë të flas sot përpara jush për 20 vjetorin e një institucioni me rëndësi të jashtëzakonshme sociale për mbarë jetën e shqiptarëve, ku si përfituese apo kontribuese është
pjesëmarrëse çdo familje shqiptare, në moshë apo e re. Në fakt, 20 vjetori i përket institucionit në formatin që funksionon sot, por përkujdesja për raportin social të sigurimeve shoqërore ka startuar së bashku me shpalljen e Pavarësisë, 100 vjet më parë, me krijimin e “Statusit Organik të Shqipërisë”, ku parashikoheshin edhe sigurimet shoqërore.
Të nderuar pjesëmarrës,
Fakti se nuk ka ndryshim social dhe ekonomik që nuk pasqyrohet në punën tonë, e bën këtë institucion të lidhur pazgjidhshmërisht me të gjitha dinamikat shoqërore, gjë që ka sjellë edhe ndryshime të vazhdueshme në funksionimin e ISSH-së, me qëllimin që çdo kontribues të arrijë të ketë përfitimin e drejtë dhe në përputhje me kontributet e paguara, por edhe me sigurinë sociale.
Kriteret e përfitimit në sistemin tonë janë unike për të gjithë pjesëmarrësit në skemën e sigurimeve, ndërkohë që masa e pensionit të pleqërisë përbëhet nga një nivel bazë përfitimesh për të gjithë shtetasit, që duhet të sigurojë minimumin jetik të domosdoshëm në shoqërinë tonë, dhe një shtesë që përcaktohet në lidhje me kontributet individuale.
Sistemi aktual i sigurimeve shoqërore në Shqipëri filloi në vitin 1993, me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Skema e sigurimeve të detyrueshme shoqërore në Shqipëri është një skemë e bazuar në parimin “pay-as-you go”, në parimin e përgjegjësisë individuale për rrisqet sociale të së ardhmes dhe në parimin e solidaritetit midis brezave. Kjo është një skemë e financuar nga kontributet e punëdhënësve, të punësuarve dhe të vetëpunësuarve. Pagesat e përfitimeve garantohen në një shumë që mbulon së paku standartin minimal të jetesës, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Ky mbulim starton ditën që personi fillon ligjërisht aktivitetin ekonomik dhe mbaron ditën që përfundon ky aktivitet. Kontributet mblidhen nga organet e tatim-taksave. Përfitimet paguhen nga zyrat postare dhe nga bankat.
Por, nga viti 1993 e deri më sot, sistemi ka pësuar disa ndryshime thelbësore. Ndyshime këto të nevojshme për t`iu përgjigjur nëproces dhe ndryshimeve social- ekonomike të vendit.
Kështu, në vitin 1995, u bënë ndryshimet e para në Ligjin e sigurimeve shoqërore, me tendencë përmirësimin e tij. Këto ndryshime konsistonin në forcimin e kompetencave të inspektorëve të kontributeve, duke iu dhënë e drejta e kontrollit tek personat juridikë e fizikë, të masës së kontributit të derdhur, fondit të pagave dhe listëpagesave, u hartuan sanksione për mospagesat e kontributeve si dhe u parashikuan periudhat tranzitore nga lënia e punës deri në marrjen e pensionit.
Në vitin 1998 erdhën ndryshimet e tjera, ku u saktësua që detyrimi për kontributet e papaguara të konsiderohej titull ekzekutiv. Gjithashtu, në fushën e përfitimeve, e drejta e marrjes së kësteve të patërhequra u shty nga 1 vit deri në 3 vjet, si dhe u miratua një skemë e re pensioni për fermerët. Fermerëve iu dha e drejta që, nëse paguanin kontribute për periudha të kaluara, atëhere iu faleshin kamatëvonesat dhe nëse gjysmën e periudhës së sigurimit të kërkuar në vitin përkatës e kishin pagesë kontribuesh, sipas ligjit të ri, plus periudhë pune në ish- kooperativën bujqësore, atëhere ata përfitonin pension qyteti. Aktualisht, mjaft fermerë e gëzojnë këtë ndryshim, duke përfituar pension qyteti, pasi kanë mbi gjysmën e periudhës kontributive si të vetëpunësuar.
Në vitin 2001, për të bërë më atraktive skemën, u riformuluan nenet për detyrimet e punëdhënësit, procedurat e regjistrimit në sigurimet shoqërore. Tek sanksionet (gjoba e kamatëvonesa) për shkelje nga ana e subjekteve u bë diferencimi midis subjekteve që regjistrohen në organet e sigurimeve shoqërore me ata që konstatoheshin të tillë gjatë kontrolleve, masat e gjobave ndryshuan dhe u detajuan edhe më shumë llojet e shkeljeve që mund të bëjnë punëdhënësit apo të vetëpunësuarit, si mbajtja nga paga e kontributeve dhe mospagimi i tyre etj. Gjithashtu, në fushën e përfitimeve u përcaktua se kur punësohesh dhe ndërpret pensionin, në rastin e rikthimit në pension do të përfitohet një shtesë pensioni. Ndërsa në fushën e pensionit familjar, kur pjestar është vetëm jetimi, masa e pensionit nga 25% u bë 50 % .
Ndërkohë, një nga reformat më të rëndësishme u ndërmor në vitin 2002, ku u realizuan këto ndryshime në legjislacion:
1.Së pari, u rrit raporti midis pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve për sigurime shoqërore nga 1/3 në 1/5;
2.Së dyti, u ul në masën 4 % norma e kontributit për sigurimet shoqërore dhe, më kryesorja, u rritën në mënyre graduale moshat e daljes në pension pleqerie për burrat e gratë, duke shkuar në moshën që është sot, 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë .
Një vit më vonë, në vitin 2003, u bënë amendimet përkatëse që pasqyronin transferimin e shërbimit të mbledhjes së kontributeve nga organet e sigurimeve shoqërore tek organet e tatim-taksave, siç funksionojnë që prej vitit 2005. Gjithashtu, u bënë ndryshimet përkatëse në ligjin për pensionet suplementare private, për futjen e fondeve profesionale të pensioneve.
Në vitin 2005 u shënuan ndryshime të tjera. Kështu u bë përqasja e legjislacionit shqiptar me standartet Europiane, Kodi Europian i Sigurimeve Sociale dhe Konventa e ILO-s për sigurimet shoqërore. Përsa i takon periudhës minimale për përfitim të pensionit të pjesshëm të pleqërisë (nga 20 vjet u bë 15 vjet) dhe pensionit të invaliditetit (kur nuk plotësohet periudha e kërkuar për pension invaliditeti të plotë ose të pjesshëm, të merret një pension i cili është në raport me periudhën e sigurimit që ka personi). Gjithashtu, u përcaktua trajtim reciprok për sigurime shoqërore për të huajt (nëse punojnë në Shqipëri detyrohen të sigurohen në skemën shqiptare të sigurimeve, më parë kishin të drejtë të zgjidhnin mbrojtjen më të favorshme). Me këtë hap u hoq favorizimi për zgjedhjen e legjislacionit më të favorshëm të sigurimeve për të huajt që punojnë në Shqipëri, sot ata sigurohen në mënyrë të detyrueshme. Më këto ndryshime u përfshinë në rrethin e personave të mbrojtur në skemën shqiptare të sigurimeve edhe personat pa shtetësi, detyrim që buron nga konventat dhe nga Kushtetuta. Ndërkaq, me ndryshimet e këtij viti u fut edhe një lloj i ri pensioni invaliditeti, për ata që nuk plotësojnë periudhën minimale, duke marrë pension në raport me kohën e sigurimit që kanë realizuar, pension invaliditeti të reduktuar.
Në vitin 2006 u bë reduktimi i mëtejshëm i normës së kontributit, e cila vazhdonte të mbetej e lartë. ISSH-ja që nga ky vit e aktualisht u bë institucion që ka Ministri të linjës Ministrinë e Financave, ndërsa më parë ishte nën varësinë e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale.
Në vitin 2007 u përcaktua shuma që duhet të kthejë personi kur ai ka përfituar të ardhura në mënyrë të paligjshme, kështu ai detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, duke iu mbajtur çdo muaj 50% e këstit mujor të përfitimit. Gjithashtu, dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të kodit penal.
Në vitin 2009 u bë reduktimi i mëtejshëm i normës së kontributit, pjesa e punëdhënësit.
Në vitin 2011, duke marrë shkas nga disa trajtime gjyqësore dhe deri në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në Strasburg, u ndryshua Ligji i sigurimeve shoqërore, lidhur me mënyrën e konstituimit të KMCAP-ve, me qëllim sigurimin e pavarësisë në vendimarrje të Komisioneve Eprore të Caktimit të Aftësisë për Punë.
Mbështetur në këtë dinamikë ndryshimesh unë dhe stafi që drejtoj synojmë që përmes punës sonë të përditshme të shtojmë transparencën me kontribuesit dhe përfituesit e skemës, të japim informacion në kohë reale për gjithçka ndodh përsa i përket marrëdhënies mes qytetarëve dhe ISSH-së, të jemi të shpejtë në lidhjen e përfitimeve si dhe mirëadministrimin e fondeve të sigurimeve shoqërore, duke bërë kështu të mundur rritjen e besimit të gjithsejcilit në skemën e pensioneve.
Për të përmirësuar menaxhimin e përditshëm të punës sonë ne kemi hedhur disa hapa të rëndësishëm, të cilët dëshiroj të më lejoni që t’i bashkëndaj shkurtimisht me ju sot.
Dixhitalizimi si transparencë dhe shpejtësi
ISSH është drejt një hapi të rëndësishëm të informatizimit të plotë të punës së saj. Aktualisht ne jemi futur në këtë proces dhe po punojmë me ngulm për dixhitalizimin e të gjithë vjetërsisë në punë që nga viti 1947 e në vazhdim, që rezultati të jetë i prekshëm sa më parë nga qytetarët. Përsa i përket Arkivës së Sistemit, ku do të jetë i përqëndruar i gjithë dokumentacioni i Sigurimeve Shoqërore, kemi të bëjmë me një model të stabilizuar, duke shfrytëzuar përvojën më të mirë sot në botë.
Për të arritur deri në këtë pikë të rëndësishme për gjithë sistemin e Sigurimeve Shoqërore, është hartuar një projekt afatgjatë, duke nisur fillimisht me plotësimin e databasës së centralizuar të të dhënave të vjetërsisë në punë për sistemin e ndërmarrjeve shtetërore, si dhe të ish-kooperativave bujqësore. Gjithashtu, këtij database pritet t’i shtohet edhe regjistri elektronik i të vetëpunësuarve në bujqësi pas vitit 1993 dhe i të punësuarve urbanë pas vitit 1993.
Ky proces synon që të finalizohet me krijimin e llogarive personale për çdo kontribues, deri në përgatitjen e çekut mujor të pagesës për pensionistët. Aktualisht, janë ndier frytet e para të procesit të informatizimit, ku në 12 Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore është transferuar programi i informatizuar dhe tashmë çdo kandidat për të dalë në pension pleqërie, e që një pjesë të periudhës kontributive e ka patur në ish-koopetarivat bujqësore dhe si i vetëpunësuar në bujqësi nga viti 1993 deri më 2012, pajiset në kohë rekord, në rrugë elektronike, me vërtetimin e nevojshëm, ndërkohë që më parë duheshin ditë të tëra për verifikim dhe certifikim.
Kjo afron më shumë qytetarin drejt institucionit dhe e bën më të besueshëm të gjithë komunikimin, e mbi të gjitha, garanton mirëadministrimin e skemës, me qëllim që qytetarët të arrijnë të përfitojnë në kohë atë që iu takon.
Parë në kontekstin e rëndësisë sociale për qytetarët, informatizimi i të dhënave, duke përfshirë kontributet, llogaritjen e përfitimeve që jepen nga skema e sigurimeve shoqërore, sistemin financiar dhe sistemin e administrimit të burimeve njerëzore, si dhe përfundimi i arkivës kombëtare përbën ndoshta një nga hapat më të rëndësishëm në kuadër të mirëadministrimit të skemës, me qëllim që të evidentohet qartë çdo kontribut dhe përfitim, dhe që gjithkush të arrijë të përfitojë atë që i takon nga sistemi i pagësës së pensioneve.
Pensione të merituara
Për ne është jo vetëm ligjore, por edhe morale, që të pastrojmë skemën e sigurimeve shoqërore nga çdo përfitim i paligjshëm, me qëllim që nga kjo skemë të përfitojnë vetëm ata që kanë kontribuar. Ky hap rrit besimin e qytetarëve dhe i ofron ata më tej, për të bashkëpunuar. Unë vlerësoj bashkëpunimin e çdo qytetari në këtë fushë, ndërsa e konsideroj një detyrë të rëndësishme të të gjithë punonjësve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore që të llogarisin drejtë çdo qindarkë, me qëllim që pensionistët të marrin në kohën e duhur gjithçka që iu takon.
Pastrimi i skemës nisi si një qëllim për “Pensione të merituara” në vitin 2006, ndërkohë që me fillimin e informatizimit, është bërë e mundur që të realizohet identifikimi i çdo dokumentacioni, duke nxjerrë jashtë nga skema çdo përfitues të padrejtë, dhe duke zhdëmtuar kështu çdo fond të përfituar në mënyrë të paligjshme.
Unë jam optimiste për atë që po bëhet nga i gjithë stafi që drejtoj, për të shkuar drejt një skeme ku asnjë qindarkë nuk mbetet pa shkuar në destinacionin që i takon.
Shqiptar kudo, por i siguruar edhe në Shqipëri
Dëshiroj të theksoj se në kuadër të komunikimit me çdo qytetar shqiptar, për ne vijon të jetë e rëndësishme dhënia e informacionit për bashkëatdhetarët tanë kudo që ndodhen, lidhur me sistemin aktual të sigurimeve shoqërore, e sidomos për të drejtat për përfitimet që mund t’u lindin në Shqipëri, si pasojë e periudhave të sigurimit të realizuar prej tyre para emigrimit nga Shqipëria.
Shqipëria ka marrëveshje njohjeje reciproke të sigurimeve shoqërore me Turqinë, ndërkohë që ka filluar prej kohësh kontaktet me Maqedoninë, Çekinë, Hungarinë, Belgjikën e së fundmi edhe me Rumaninë.
Njëkohësisht, prej kohësh ISSH bashkëpunon me disa patronate në Itali, INAS, ACLI e ACAI, të cilat kanë degët e saj në të gjithë Italinë e që së fundmi kanë punësuar edhe shumë nga bashkëatdhetarët tanë, si dhe është në kontakt të vazhdueshëm edhe me vende të tjera ku ka emigrantë shqiptarë, me qëllim që t’iu krijojë mundësi atyre që të informohen për procedurat e plotësimit të periudhave të sigurimit të kaluara, të pambuluara me kontribute për sigurimet shoqërore, si dhe për t’u përfshirë në kushte përfitimi nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore, në momentin e lindjes së të drejtave për çdo lloj përfitimi.
Ne jemi të bindur se, procesi i informatizimit të sistemit tonë të sigurimeve shoqërore, i cili synon krijimin e llogarive personale për çdo kontributpagues, do ta përafrojë edhe më shumë këtë bashkëpunim të nisur, duke lehtësuar procedurat e informimit të emigrantëve me historikun e tyre kontributiv në Shqipëri dhe të drejtat që iu lindin nga kjo marrëdhënie.
Të nderuar pjesëmarrës,
Së fundmi dëshiroj t’iu dërgoj një falenderim të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në forcimin e punës së ISSH-së në këto 20 vite, dhe të atyre që vijojnë të kontribuojnë në përmirësimin e përditshëm të punës sonë. Por në këtë udhë ne mendojmë se nuk mund të ecim të vetëm, ndaj, duke besuar në rëndësinë sociale të Sigurimeve Shoqërore, në emër të stafit që unë drejtoj, ftoj të gjithë aktorët shoqërorë që të jenë pjesë e udhëtimit tonë.
Dhe padyshim që në këtë rrugëtim, mbetet shumë thelbësor mendimi që marrim nga qytetarët. Dua t’u them të gjithëve që na drejtohen, se mendimi që marrim nga ju është i rëndësishëm për të gjithë hapat që hedhim çdo ditë në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj jush. Pikërisht për këtë fakt ne jemi të vendosur në bashkëpunimin me cilindo që kërkon nga ne të ecim përpara, në të mirë të të gjithëve, duke besuar se kështu i shërbejmë më mirë çdo qytetari shqiptar, kudo që ndodhet ai.