

Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi në datë 4 mars analizën vjetore për vitin 2024, ku mori pjesë edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani.
ISSH vijon të ketë një performancë pozitive të të ardhurave, duke rikonfirmuar qëndrueshmëri dhe konsolidim fiskal.
Gjatë fjalës së saj, znj. Manjani e vuri theksin tek rritja e cilësisë së shërbimeve që ISSH ofron krahas rritjes së numrit të pensionistëve, tek sfida për rritjen e numrit të kontribuesve në sasi dhe cilësi, si dhe tek qëndrueshmëria e skemës së sigurimeve shoqërore, si objektiva madhorë të qeverisë shqiptare per vitin 2025.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado, tha se të ardhurat në total nga kontributet e sigurimeve shoqërore për vitin 2024 u realizuan në masën 139.4 miliardë lekë ose 102 %, me një tejkalim prej 2 miliardë lekë, në krahasim me planin.
Numri i kontribuesve për vitin 2024, është 844 mijë persona, me një rritje prej 2%, në krahasim me vitin 2023.
Sistemi i sigurimeve shoqërore e mbylli vitin 2024 me një rezultat fiskal pozitiv me rreth 2.3 miliardë lekë, nga të cilat 2.1 miliardë lekë vijnë nga tejkalimi i të ardhurave, pjesa tjetër vjen nga mosrealizimi i shpenzimeve, prej 0.2 miliardë lekë.
Rritja e të ardhurave, kryesisht për shkak të rritjes së pagave, ka ndikuar në uljen e deficitit të degës së pensioneve, i cili vazhdon të jetë nën vlerën 1 % të PBB-së.
Gjatë vitit 2024, numri i aplikimeve online të përpunuara arriti në 402,502 aplikime, pa përfshirë ato shërbime që përfitohen automatikisht nga sistemi e-Albania. Në këtë mënyrë qytetarët kanë arritur të marrin më shumë shërbime, me cilësi dhe në kohë reale.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, nënvizoi gjithashtu edhe rëndësinë e rritjes së besimit të qytetarëve ndaj skemës, rritjen e transparencës, si dhe kërkoi angazhim të shtuar të strukturave për të bërë të mundur rritjen e numrit të kontribuesve dhe të të ardhurave.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore edhe gjatë vitit 2025 mbetet i angazhuar të vijojë punën për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, për uljen e kohës së caktimit të pensioneve, për lehtësimin e procedurave të transferimit të pensioneve në qendrat paguese, si dhe për realizimin e programit të të ardhurave të Fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Në bashkëpunim me Bankën Botërore, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit dhe Ministrinë e Financave, po punohet për reformimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në funksion të perspektivës afatgjatë të sistemit dhe në funksion të ndryshimeve demografike, duke patur në qendër të vëmendjes rritjen e të ardhurave të pensionistëve, punë e cila ka filluar qysh në vitin 2024, nëpërmjet dhënies së bonuseve të fundvitit, e cila këtë vit u dha në masën 15 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, në varësi të të ardhurave të pensionistëve. Dhënia e bonuseve për pensionistët do të vijojë edhe për vitin 2025, sipas parashikimeve përkatëse buxhetore.