Skema e pensioneve në është në rrezik financimi dhe një barrë e papërballueshme për t’u subvencionuar nga buxheti i shtetit. Raporti kontribuues përfitues ka arritur minimumet historike. Aktualisht në skemë kontribuojnë 1. 66 persona për të përfituar 1. 3 pensionistë. Ndërkohë që për të funksionuar skema duket që ky raport të jetë 3 me 1. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Vjollca Braho në intervistën për gazetën “Shekulli” shpjegon gjendjen në të cilën gjendet skema e sigurimeve shoqërore, kategoritë që përfitojnë prej saj dhe pritshmëritë në lidhje me funksionimin në të ardhmen.
-Sa është numri i personave që përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore aktualisht?
Institutit i Sigurimeve Shoqërore është një institucion që administron skemën e detyrueshme, skemën suplementare, skemën vullnetare si dhe disa lloje të tjera përfitimesh të cilat nuk janë të lidhura me sigurimet shoqërore, por janë kategori që qeveria ka vendosur t’i trajtojë me përfitime nga buxheti i shtetit. Si të tilla mund të permendim invalidët e luftës, dëshmorët e atdheut, veteranët, trajtime të veçanta si minatorët, punonjësit e industrisë ushtarake, statusin e ushtarakut, etj. Numri i përfituesve të pensioneve është rreth 555 mijë persona, ndërsa numri i pensioneve të parakohshëm, suplementare dhe skemave të veçanta të përmendura më lart janë rreth 32 mijë persona.
-Sa është raporti kontribuues përfitues gjatë këtij viti?
Raporti kontribues përfitues, ose siç njihet ndryshe, ndryshe norma e varësisë së sistemit, është një tregues i rëndësishëm sidomos për skemat që funksionojnë sipas parimit “Pay as you go”, që do të thotë që pensionistët e sotëm paguhen nga të ardhurat e siguruara nga kontribuesit e sotëm. Edhe skema jonë e pensioneve funksionon sipas këtij parimi, pra me një solidaritet dhe një kontratë midis brezave. Aktualisht norma e varësisë së sistemit vetëm për pensionet e pleqërisë është 1.66 kontribues për një pensionist, ndërsa për gjithë llojet e pensioneve (pleqëri, familjar, invaliditet) është më i vogël dhe konkretisht 1.3 kontribues për një pensionist.
-Sa pritet të shtohet numri i përfituesve në skeme vitin e ardhshëm?
Sivjet është viti kur përfundon reforma e rritjes së moshës së daljes në pension e iniciuar në vitin 2002. Kjo reformë ka pasur si qëllim rritjen e moshës së daljes në pension, duke u bazuar në përvojat e vendeve të zhvilluara, të cilat e kanë aktualisht këtë moshë ose edhe më shumë. Pra në këto 10 vite u bë ndryshimi gradual me rritje 6 muaj çdo vit të moshës së daljes në pension, duke ardhur aktualisht në kufirin 60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat, nga 55 që ishte për gratë dhe 60 për burrat në vitin 2002. Për rrjedhojë në këtë vit dhe në vazhdim do të kemi një numër më të madh pensionesh të reja të pleqërisë në krahasim me dhjetë vitet e kaluara. Një efekt zbutës në numrin e pensioneve të reja ka edhe fakti që një pjesë e mirë e personave që mbushin moshën për të dalë në pension sivjet kanë dalë në pension të parakohshëm në vitet 1995 -1996 dhe tani ndryshojnë statusin nga pensione të parakohshme në pensione pleqërie. Nga këto ndryshime rritja vjetore parashikohet në rreth 8 mijë pensione.
-Si po ecën procesi i përllogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve, sa përfitojnë aktualisht nga skema dhe sa të tjerë pritet të përfshihen?
Procesi i llogaritjes dhe i rillogaritjes së përfitimeve për ushtarakët e ndryshëm, të përcaktuara këto në Ligjin aktual në fuqi, me nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, është një proces i nisur që me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe daljes së akteve nënligjore në zbatim të tij. Ky ligj zgjeroi subjektet përfitues, duke përfshirë në të, krahas Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit dhe strukturat e Policisë së Mbrojtjes kundër Zjarrit, të Policisë së Burgjeve, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Gardës së Republikës. Që në fillim nga ana e ISSH, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme etj, ka bërë të mundur dhënien e përfitimeve në kohë. Nga ana jonë janë përpunuar në kohë të gjitha dokumentet e ardhura nga organet përgjegjëse për dërgimin e tyre, nga institucionet ku ushtaraku kishte dalë në pension apo lirim. Aktualisht Instituti i Sigurimeve Shoqërore, administron dhe paguan gjithsej 21.694 ushtarakë, nga të cilët 12 295 janë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi me masë përfitimi mesatar mujor mbi 16 000 lekë dhe pjesa tjetër pensione suplementare për vjetërsi shërbimi.
-Pensionet e invaliditetit, procedura për të përfituar
Përfituesit e skemës së pensionit të invaliditetit i nënshtrohen vizitat pranë Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë ku përcaktohet shkalla e sëmundjes më pas ISSH llogarit pension. Drejtoresha e ISSH shpjegon procedurën për të përfitua nga skema. “ISSH është institución që administron pensionet e invaliditetit, por nuk është institucion i vetëm për përcaktimin e tij. Ky proces realizohet në bashkëpunim me strukturat shëndetësore që operojnë në vend. Shkalla e invaliditetit përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i cili është i kompozuar me mjekë të institucioneve mjekësore me shtretër dhe me një mjek përfaqësues i sigurimeve shoqërore. Të drejtën për të iniciuar këtë proces e kanë vetëm institucionet mjekësore me shtretër, pra spitalet të cilët pajisin me fletë drejtimi për në KMCAP personat e sëmurë dhe që mendohet se janë të paaftë për punë. KMCAP- i mbështetur në gjendjen e të sëmurit të përshkruar në Fletën e Drejtimit (diagnozën e përcaktuar saktë, në ekzaminimet e kryera, mjekimin dhe rezultatin e tij), shkallën e dëmtimit fizik të organit apo sistemit që vuan, si dhe kriteret orientuese për caktimin e aftësisë për punë, përcakton shkallën e humbjes së aftësisë për punë dhe grupin e invaliditetit”-shpjegon Braho. Ndërsa në lidhje me klasifikimin në grupin e përfituesve me pension të pjesshëm apo të plotë, ISSH merr të gatshëm vendimin nga KMCAP. “ISSH është institucioni i ngarkuar me ligj për administrimin dhe pagimin e pensioneve për personat që humbasin aftësinë për punë si rezultat i sëmundjeve fizike dhe mendore. Koncepti i pensionit të plotë dhe të pjesshëm nuk lidhet me llojin e sëmundjes, por me shkallën e humbjes së aftësisë për punë si rezultat i saj. Sëmundje e njëjtë në individë të ndryshëm mund të sjellë humbje të ndryshme të aftësisë për punë pasi kjo gjë varet nga shumë faktorë” –thotë drejtoresha e ISSH-së. Ndërsa në lidhje me numrin e përfituesve nga skema mësohet se numri është rritur, “Mund t’ju përmend se numrin me të lartë të invaliditetit në Shqipëri e shkaktojnë sëmundjet kardiovaskulare si sëmundjet iskemike të zemrës, përfshi edhe infarktin e myokardit, sëmundjet valvulare të zemrës, sëmundjet e tensionit arterial HTA, sëmundjet e vazave të trurit etj. Këto sëmundje shkaktojnë 22.7% të pensioneve të invaliditetit. Sëmundjet e shqisave rreth 14 % të pensioneve të invaliditetit, dëmtimet, traumat, aksidentet automobilistike rreth 13 %, sëmundjet mendore rreth 11 % si dhe sëmundjet tumorrale rreth 10 % të pensioneve të invaliditetit. Numri i pensioneve të invaliditetit nga sëmundjet tumorale ka një rritje të ndjeshme në vitet e fundit”- pohon Vjollca Braho.
-Reformimi i skemës, peng i politikës
Ndryshimi i skemës së pensioneve do të varet nga hartimi dhe miratimi nga klasa politike. Edhe pse Banka Botërore ka deklaruar pak kohë më parë se skema e pensioneve është e rrezikuar, fakt i pranuar edhe nga Ministri i Financave, ende nuk ka një draft të plotë për ndryshimin e saj. Në lidhje me këtë fakt drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Brahaj shpjegon se ISSH është një institucion teknik që merret me zbatimin e legjislacionit të sigurimeve shoqërore dhe ky legjislacion është atribut i politikbërësve dhe vendimmarrësve. Por, në dijeninë e saj, në bashkëpunim me Bankën Botërore është hartuar një draft reforme e cila pritet te diskutohet midis forcave politike dhe ekspertëve dhe të miratohet. “Skema e pensioneve në Shqipëri është ndërtuar sipas parimit ‘Pay as you go’ ose sipas një kontrate midis brezave. Parë në këtë këndvështrim, si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë, rënies së numrit të lindjeve, emigracionit të lartë dhe zhvillimeve të tjera demografike dhe ekonomike, skema do të ndeshet në vështirësi për të financuar pagesat e pensioneve në të ardhmen. Gjithashtu, kjo skemë ka filluar të ketë një lidhje të dobët midis kontributeve të paguara dhe përfitimeve që jep, gjë që ka bërë që skema të humbasë atraktivitetin e saj. Për të gjitha sa me sipër është e nevojshme që skema aktuale të reformohet për të shmangur deficitin dhe të reflektojë ndryshimet demografike të tanishme dhe të pritshme”-thotë Braho