

Sa është numri i personave që përfitojnë nga kjo falje, sa persona do të marrin lekët e paguara ndër vite dhe sa janë shumat që do të marrin?
Numri i personave që kanë dalë debitorë nga rillogaritja, siç thashë më sipër, është rreth 6000 persona, ndërsa numri i personave që do t’u kthehen lekët e paguara është rreth 5400 persona.
Kjo diferencë në numër është pasi disa nga ish-ushtarakët që kanë rezultuar debitorë nuk iu është mbajtur deri më tani debia për shkak të verifikimeve ose për shkak të rillogaritjes në muajt e fundit, pasi atëherë janë dërguar dokumentet nga institucionet përgjegjëse. Debia do t’u falet të gjithëve dhe ata që kanë shlyer një pjesë apo të gjithë debinë do t’u kthehen lekët.
Shuma e debisë së llogaritur dhe asaj të mbajtur është e ndryshme në varësi të karrierës personale dhe pagave individuale të çdo ish-ushtaraku dhe varion nga 1 lek deri në 500 mijë lekë.
Shuma e debisë së mbajtur varet nga koha se kur është kryer rillogaritja, si dhe nga këstet që ish-ushtarakët kanë shlyer pasi ka edhe persona që e kanë shlyer menjëherë debinë dhe kanë vazhduar të marrin këstin mujor të pensionit të parakohshëm.
Kur do të fillojë dhënia e shumave të mbajtura dhe për sa kohë do të kthehen këto shuma?
Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave të sipërcituar, këto shuma të mbajtura deri në datën 1 qershor 2016 do të fillojnë të paguhen duke filluar nga data 1 nëntor 2016. Nga ana jonë janë evidentuar të gjitha shumat e ndaluara për çdo person dhe duke filluar nga dita e nesërme do të fillojë pagesa, që do të thotë që në muajin nëntor, krahas pensionit mujor, në llogaritë e tyre do të xhirohen edhe një pjesë e ndalesave të bëra tashmë. Në vendim është përcaktuar që gjithë shuma debitore e mbajtur duhet të kthehet deri në muajin maj 2017 dhe ky proces do të përfundojë në këtë muaj.
Kthimi i shumave do të bëhet menjëherë, domethënë, çdo muaj ju do të paguani një numër ish-ushtarakësh deri në përfundim, apo do t’i shlyeni me këste?
Pas evidentimit të shumave individuale të debisë së mbajtur që do të kthehen, është përcaktuar edhe mënyra e shlyerjes së tyre. Të gjithë personat që kanë një shumë për të marrë më të vogël se 15 mijë lekë do të paguhen me një këst, pra do t’u xhirohen menjëherë në muajin nëntor.
Në muajt në vazhdim do të marrin 1/6 e shumës së mbetur, por jo më pak se 15 mijë lekë. Po e konkretizoj me një shembull. Në rast se një ish-ushtarak ka debi të shlyer prej 52.500 lekësh, kjo shumë do t’i jepet në muajin nëntor 15.000 lekë dhe pjesa e mbetur prej 37.500 lekësh do t’i jepet në tre këste’ përkatësisht në muajin dhjetor 15.000 lekë, në muajin janar 15.000 lekë dhe në muajin shkurt pjesa e mbetur prej 7500 lekësh.
Në rastet kur shuma që do të kthehet është më e madhe, atëherë në muajin nëntor do të marrë 15.000 lekë dhe në muajt e tjerë do të marrë 1/6 e shumës deri në muajin maj. Për shembull, nëse një person ka për të marrë 242.256 lekë, do të përfitojë 15.000 lekë në nëntor dhe në muajt në vazhdim deri në maj shumën 37.876 lekë në muaj, që është 1/6 e shumës (242.256-15.000 = 227.256 /6 = 37.876 lekë).
Kjo ndarje është bërë për arsye të gjendjes financiare që e gjithë kjo shumë të mos i ngarkohet vitit korrent, pasi kur është miratuar buxheti i ISSH, nuk ka qenë parashikuar si shpenzim kjo shumë, por si e ardhur nga vjelja e debisë. Totali i parave që do të kthehen është rreth 369 milionë lekë, ndërsa totali i debisë që falet është mbi 1 miliard lekë.