Lejomëni që në emër të Ministrisë së Financave të Shqipërisë, të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe në emrin tim, t’i uroj punë të mbarë këtij Kongresi dhe t’iu falenderoj për përkushtimin e ekipi tuaj drejtues në ngritjen e marrëdhënieve të shkëlqyera mes ACLI-t dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Marrëveshja e përbashkët, e iniciuar që në vitin 2009 mes ACLI-t dhe ISSH-së, ka bërë të mundur që prej kohësh shumë nga bashkëqytetarët tanë të prekin në mënyrë konkrete të dhënat lidhur me përfitimet nga skema shqiptare, duke i dhënë jetë kështu një binomi të rëndësishëm të kujdesit social mes dy vendeve.

Shqiptarët që jetojnë këtu dhe ata bashkëqytetarë tuajt që jetojnë e punojnë në Shqipëri janë një urë e përditshme e jetës mes dy vendeve, duke i bërë brigjet mes nesh gati të padukshme. Ndërsa kujdesi ndaj tyre për informim i afron edhe më tej këto dy brigje, duke i bërë pjesë të të njëjtit bashkëudhëtim.

Në tri vitet e bashkëpunimit mes dy institucioneve tona ne kemi patur kënaqësinë të diskutojmë këtu në Romë dhe në zyrat e ISSH-së në Tiranë me përfaqësuesit tuaj, lidhur me informimin e emigrantëve shqiptarë në Itali, si edhe të qytetarëve italianë që prej vitesh punojnë në Shqipëri.

Dua, të theksoj se, ky bashkëpunim është në vijim të bashkëpunimeve me të gjitha institutet e mbrojtjes të së drejtave të emigrantëve, që ushtrojnë të drejtat e tyre në territorin italian dhe që kanë zyra informimi edhe në shumë vende të botës.

Por sot, dëshiroj që në emrin tim personal, si dhe të ekipit tim, të falenderoj në mënyrë të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm, z. Ferri, dhe stafin drejtues të ACLI-t, për vendimin e zgjerimit të aktivitetit tuaj me sportele të reja në Milano, Firence e Savona, duke i dhënë një dimension edhe më human këtij bashkëpunimi, përmes mundësisë së punësimit pranë jush të mjaft bashkëqytetarëve tanë, që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Itali.

Trajnimi më i fundit që u krye prej specialistëve të ISSH-së me disa prej të përzgjedhurve tuaj që përfaqësojnë zyrat e ACLI-t në disa qytete këtu në Itali, më jep të drejtën të besoj se hapi që kemi hedhur për marrëveshjet tona ka qenë i drejtë dhe i dobishëm.

Unë konstatoj me kënaqësi se komunikimi me Ju ka qenë mjaft i domethënës për të mbërritur tek bashkëqytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë këtu, në vendin tuaj, e që mund të informohen se gjithkush prej tyre, që ka patur një historik marrëdhëniesh kontributive në Shqipëri, do të mund t’i marrë ato në momentin që do t’u lindë e drejta. Me këtë rast dëshiroj të siguroj gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, se është në detyrën tonë jo vetëm administrative, por edhe sociale, për të garantuar çdo qindarkë të derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri dhe, se përmes plotësimit të viteve të munguara, do t’iu bëhet e mundur plotësimi i kontributeve të nevojshme për të patur një garanci sociale në çdo kohë edhe në vendlindjen e tyre.

Dëshiroj të ndaj me ju faktin se, aktualisht, institucioni që drejtoj është drejt konkretizimit final të informatizimit të sistemit, një mundësi kjo pë të gjithë emigrantët që të verifikojnë kontributet e tyre në Shqipëri, e më pas të vendosin lidhur me pagesat e tyre në zyrat tona.
Në këtë kuadër, është detyrim i yni t’iu përgjigjemi edhe kërkesave të kujtdo qytetari të huaj që do të kërkojë njohjen e pagesave kontributive në Shqipëri për të gjithë kohën që punon këtu. Ne po punojmë që të gjithë qytetarët italianë që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kryer aktivitetet e tyre, të gjejnë tek ne mbështetjen për çdo kontribut që ata derdhin.

Ne, vlerësojmë mundësinë që na është dhënë në këtë komunikim, përmes këtij bashkëpunimi, dhe besojmë se së bashku do të bëjmë të mundur që gjithësecili të arrijë të informohet për atë që është e nevojshme, si për bashkëqytetarët tanë që jetojnë këtu, ashtu edhe për shumë nga bashkëqytetarët tuaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për aktivitetet e tyre.

Padyshim që fusha e mbrojtjes sociale mbetet një fushë e mbushur me sfida. Por në të njëjtën kohë, të jep kënaqësinë që të jesh pranë kujtdo, duke bërë të mundur që t’i lehtësojmë bashkëqytetarëve hapat drejt moshës së tretë.

Duke besuar se ky bashkëpunim do të jetë edhe më i frytshëm në të ardhmen, ashtu si edhe me shumë nga partnerët e tjerë italianë me të cilët bashkëpunojmë, me lejoni t’iu falenderoj edhe një herë në emrin tim lidhur ftesën për të qenë e pranishme sot këtu dhe për të komunikuar me Ju në këtë Kongres.

Edhe një herë, më lejoni t’ju përcjell një përshëndetje nga gjithë ekipi që drejtoj. Urime dhe punë të mbarë këtij Kongresi!

Drejtore e Përgjithshme e ISSH-së
Vjollca BRAHO