

Nga dita e sotme, datë 03.03.2025, nis shpërndarja e shpërblimit për pensionistët dhe kategoritë e tjera përfituese, që trajtohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
730.430 pensionistë do të përfitojnë bonusin e pranverës, së bashku me këstin mujor të pensionit, sipas datave të përcaktuara.
Janë rreth 520.443 persona me pension bazë nën 20.000 lekë, të cilët do të përfitojnë shpërblimin prej 10.000 lekë
Janë 209.987 persona me pension bazë mbi 20.000 lekë, të cilët do të përfitojnë shpërblimin prej 5.000 lekë.
Sipas Vendimit nr. 20, datën 09.01.2024 të Këshillit të Ministrave, të drejtën për të përfituar këtë shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 28.02.2025, përfshirë edhe këtë datë.
Efekti financiar nga zbatimi i këtij vendimi, llogaritet në rreth 6.3 miliardë lekë.
E drejta për të tërhequr këtë shpërblim është deri më datë 30.09.2025.
Nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore janë marrë të gjitha masat, që si nga ana e Postës Shqiptare sha, ashtu edhe nga bankat e nivelit të dytë, të ndiqen të gjitha procedurat, sipas parashikimeve ligjore për përfitimin e plotë dhe në kohën e duhur të këtij shpërblimi.