Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z.Astrit Hado dhe Administratori i Postës Shqiptare sha, z. Ardit Demiri nënshkruan Marrëveshjen e re kuadër ndërinstitucionale.
Përmes kësaj Marrëveshje palët angazhohen të rrisin bashkëpunimin për ofrimin e shërbimeve cilësore, me standarte, duke iu përgjigjur sfidave, eliminuar rreziqet dhe barrierat administrative.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së vlerësoi punën e bërë nga Posta Shqiptare sha, si një partner i qendrueshëm, ndërsa garantoi se të dy institucionet po intensifikojnë përpjekjet për të nisur një epokë të re në ofrimin e shërbimeve, veçanërisht për kategorinë e pensionistëve.
Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në mbledhjen e datës 19 shtator miratoi vendimin për indeksimin e të të gjitha kategorive të pensioneve, që mbulon Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi.
Për periudhën gusht 2022- gusht 2023, Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, që llogaritet nga INSTAT, rezultoi në masën 8.6%.
Nga data 1 tetor 2023, mbi 767 mijë përfitues të të gjitha kategorive të pensioneve do të paguhen të indeksuar me këtë përqindje, duke garantuar një mbrojtje më të mirë të kësaj shtrese të popullsisë.
Edhe pensioni social, që përfitohet nga personat rezidentë shqiptarë mbi moshën 70 vjeç, të cilët nuk kanë të ardhura, do të pësojë rritje duke u llogaritur në 9,327 lekë ose 739 lekë më shumë. Nga kjo masë do të përfitojnë 2,499 persona, në shkallë vendi.
Efektet financiare të politikës së indeksimit të pensioneve për tre muajt e mbetur të vitit 2023 llogariten në rreth 3.2 miliardë lekë, ndërsa ai mbartës për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.
Këshilli Administrativ gjithashtu zgjodhi me votim unanim, si kryetar Ministrin e Financave dhe Ekonomisë z. Ervin Mete.
Mete edhe më herët ka dhënë kontributin e tij si anëtar i këtij Këshilli për përmirësimin e mëtejshëm dhe modernizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është i angazhuar për të garantuar zbatimin e plotë dhe me efikasitet të politikave që kanë për qëllim trajtimin e qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe bazuar në kontributet e paguara.
Objektivat kryesorë të punës sonë mbeten rritja e qendrueshmërisë financiare të skemës, ulja e deficitit, si dhe ulja e transfertës nga buxheti i shtetit, kjo bazuar edhe në ecurinë pozitive të të ardhurave, që deri në fund të vitit të tejkalohen akoma më shumë.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, zhvilloi në datën 13 tetor 2023, një takim me drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.
Përmirësimi i shërbimeve publike të digjitalizuara ishte në qendër të diskutimeve, me qëllim rritjen e cilësisë dhe lehtësimin e mëtejshëm të mënyrës së përdorimit nga ana e qytetarëve.
Hado, gjatë fjalës së tij theksoi se Instituti i Sigurimeve Shoqërore po punon intensivisht për digjitalizimin e të gjithë bazës së të dhënave dhe për standardizimin e dokumentacionit, në mënyrë që të shkurtohenmë shumë afatet dhe shërbimet të ofrohen në standarde akoma më të larta.
Vëmendje, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së kërkoi edhe në lidhje me rritjen e performancës financiare, por edhe me informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, me qëllim adresimin në kohë të çdo problematike dhe zbatimin e procedurave brenda afateve ligjore.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar për zbatimin e plotë të reformës së ristrukturimit dhe riinxhinierimit të shërbimeve, në mënyrë që të bëhen lehtësisht të përdorura dhe të rriten përfitimet për qytetarët.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare mbi shkëmbimin e të dhënave të sigurimeve shoqërore, që po zhvillohet në Bon të Gjermanisë, nga data 16-17 tetor 2023.
Gjatë prezantimit, z.Hado ndau me pjesëmarrësit përvojën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, mbi praktikat e ndjekura në lidhje me pagesat e pensioneve, kontrollin e pagesave dhe verifikimin e gjallesës për pensionistët. Gjithashtu, në konferencë, u diskutua edhe në lidhje me shkëmbimin elektronik të të dhënave të pensionistëve midis vendeve, për eliminimin e pagesave të padrejta dhe ato pas vdekjes.
Aktualisht, ISSH ka rritur angazhimin për minimizimin e riskut nga pagesat e kredituara padrejtësisht dhe për këtë po ndërvepron me institucionet e tjera shtetërore, duke e fokusuar punën tek automatizimi dhe përmirësimi i të gjitha hallkave të kontrollit.
Në këtë konferencë, ku po marrin pjesë 30 institucione ndërkombëtare, përfaqësuesit po shkëmbejnë përvojat për mbrojtjen e fondeve të pensioneve, përmirësimin e shërbimeve të digjitalizuara, si dhe sfidat në shkallë globale, në fushën e sigurimeve shoqërore.
Ky takim organizohet nga Deutsche Post Renten Service, ( Posta Gjermane -Shërbimi i pagesave të pensioneve ) me mbështetjen nga DRV Bund, BMAS (Sigurimi Shoqëror Federal Gjerman dhe Ministria Federale e Punës dhe Çështjet Sociale të Gjermanisë).
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se bonusi do të përfitohet së bashku me këstin mujor të pensionit, sipas datave të përcaktuara.
Janë rreth 704 mijë individë, të cilët do të përfitojnë shpërblimin prej 5,000 lekë, me një efekt financiar në buxhetin e shtetit që llogaritet në rreth 3.5 miliardë lekë.
“Dëshiroj të garantoj të gjithë përfituesit se i gjithë fondi është i miratuar sipas ligjit organik të buxhetit dhe është në dispozicion. Asnjë individ nuk do të humbasë të drejtën e tërheqjes së këtij shpërblimi, pasi ajo ruhet deri në dhjetor të vitit 2024”, tha z. Hado.
Sipas Vendimit të miratuar nga Këshillii Ministrave, të drejtën për shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 31.12.2023, përfshirë edhe këtë datë.
Z. Hado garantoi se janë marrë të gjitha masat, që si nga ana e Postës Shqiptare sha, ashtu edhe nga bankat e nivelit të dytë, të ndiqen të gjitha procedurat, sipas parashikimeve ligjore për përfitimin e plotë dhe në kohën e duhur të këtij shpërblimi.
Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në datat 12-14 mars 2024, u zhvillua raundi i dytë i negociatave mes Shqipërisë dhe Serbisë, në fushën e sigurimeve shoqërore.
Këto negociata u zhvilluan në frymën e plotë të bashkëpunimit dhe në aspektin teknik u drejtuan nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore z. Astrit Hado dhe stafi teknik.
Në përfundim të tyre, palët parafirmosën Marrëveshjen Kuadër. Për palën shqiptare kjo marrëveshje u parafirmos nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj.Olta Manjani, ndërsa për palën serbe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale z. Zoran Milosevic.
Marrëveshja ju siguron qytetarëve shqiptarë një sërë përfitimesh, si: pensionin e pleqërisë, përfitimet e barrëlindjes, pensionin familjar, atë të invaliditetit etj.
Ajo gjithashtu siguron bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë që qytetarët të mos humbasin vitet e tyre të punës.
Me përfundimin e të gjithë procedurave teknike, përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, Marrëveshja do të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve tona.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi në datë 29 mars analizën vjetore për vitin 2023, ku mori pjesë edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani.
Gjatë fjalës së saj, znj. Manjani e vuri theksin te përmirësimi i mëtejshëm i përformancës financiare, qëndrueshmëria e skemës së sigurimeve shoqërore, si edhe tek aplikimi i zgjidhjeve novatore, që do të përmirësonin ndjeshëm ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Reforma e pagave, që po vijon të ndërmerret nga qeveria shqiptare, ka dhënë efekte në përmirësimin e ndjeshëm të qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve.
Për herë të parë deficiti i skemës zbriti poshtë 1% të PBB-së edhe në vlerë absolute.
Nga ana tjetër dhe numri i kontribuesve u rrit me 3.6% ose me 27,521 persona, në krahasim me vitin 2022.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, vlerësoi punën e bërë nga të gjitha strukturat, si në DRSSH, ashtu edhe në qendër, veçanërisht sa i përket reduktimit të kohës së lidhjes së pensioneve, si dhe ofrimit të shërbimeve në rrugë elektronike.
Gjatë vitit 2023, numri i aplikimeve të përpunuara ishte 411,570 ose 72,536 aplikime më shumë se gjatë vitit 2022, me një rritje prej 21.4%, pa përfshirë ato shërbime që përfitohen automatikisht nga e-Albania. Në këtë mënyrë qytetarët kanë arritur të marrin më shumë shërbime, me cilësi dhe në kohë reale.
Për vitin 2024, Instituti i Sigurimeve Shoqëore ka përcaktuar një sërë objektivash ambiciozë, siç janë: rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, thjeshtimi i procedurave, eliminimi i barrierave administrative, respektimi i afateve të shërbimit, rritja e pjesëmarrjes në skemë e fermerëve, por edhe pjesëmarrja aktive për arritjen e marrëveshjeve bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore.
Forumi Rajonal për Mbrojtjen Shoqërore për Europën, që po zhvillohet në Porto të Portugalisë, vlerësoi Institutin e Sigurimeve Shoqërore me katër “Certifikata Merite” për ofrimin e shërbimeve online.
Në ceremoninë e posaçme, ku mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, programi për mbrojtjen e veçantë për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të mitur, për të cilat shteti mbulon kontributet e sigurimeve shoqërore u vlerësua me çmimin “Certifikatë e Meritës me Përmendje të Veçantë” nga Komisioni Teknik i ISSA-s dhe Juria e pavarur ndërkombëtare e Konkursit “ISSA Good Practice Award Europe 2024”.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore u vlerësua gjithashtu me “Certifikata Merite” edhe për 3 praktika:
Dixhitalizimi i arkivës së sigurimeve shoqërore;
Përmirësimi i përfitimeve të sigurimeve shoqërore, nëpërmjet raporteve elektronike mjekësore ( e-Raporte);
Si dhe për të gjitha shërbimet e tjera të ofruara online.
Shqipëria arriti të dallonte me shërbimet e saj në garën mes 40 institucioneve të sigurimeve mes 26 shteteve, pjesë e Rrjetit Europian të ISSA-s dhe 119 praktikave.
Qëllimi i këtij konkursi ishte prezantimi dhe vlerësimi i institucioneve që kanë në fokus përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Shqipëria, tashmë renditet mes atyre vendeve që me efikasitet po zbaton një reformë të plotë digjitalizimi dhe për të cilën edhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po punon me profesionalizëm në rritjen e mëtejshme të cilësisë dhe arritjen e standardeve europiane.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi sot në datë 13 qershor 2024, mbledhjen e parë të Këshillit Administrativ për këtë vit.
Me votim unanim, Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj.Olta Manjani u zgjodh Kryetare e këtij Këshilli.
Ndër të tjerash, Këshilli miratoi edhe projektvendimin “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022, për llogaritjen e pensioneve”.
Ky projektvendim, i cili pritet të kalojë për miratim edhe në Këshillin e Ministrave, do të krijojë mundësinë e rivlerësimit të pagës mesatare mbi të cilën llogaritet shuma mujore fillestare e pensionit, për të gjithë personat që do të marrin pension nga data 01 korrik 2024 e në vazhdim.
Koeficienti, parashikohet të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për mbi 20 mijë persona, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura.
Këshilli Administrativ i ISSH-së, zhvilloi në datë 9 korrik 2024, mbledhjen e tij të radhës, nën drejtimin e Zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani.
Gjatë kësaj mbledhjeje u morën disa vendime, ku më kryesori ishte ai i miratimit të rezultatit financiar për vitin 2023.
Të ardhurat e drejtpërdrejta nga kontributet e personave juridikë dhe fizikë, si dhe të ardhurat e tjera të Fondit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2023 arritën në rreth 124.6 miliardë lekë, me realizim 100 %, kundrejt planit.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, theksoi se performanca financiare ka rezultuar tejet pozitive, duke konfirmuar jo vetëm mirëadministrimin, por edhe punën e bërë në drejtim të ruajtjes së programuar të shpenzimeve dhe realizimin, sipas programit buxhetit të miratuar nga Kuvendi.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbetet i angazhuar për të rritur më tej të ardhurat kontributive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët, si dhe për të zbatuar politikat reformatore të Qeverisë në fushën e pensioneve.