Duke marrë shkas nga transmetimi i emisionit investigativ “Stop” në TV Klan të një rasti abuzimi me pensionistët për njohjen e vjetërsisë në punë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Durrës, Instituti i Sigurimeve Shoqërore menjëherë pasi u njoh me rastin dhe bëri verifikimet paraprake bën me dije se për punonjësit pranë DRSSH Durrës është marrë masa “Largim nga puna”. Në ditët në vijim do të kryhen të gjitha verifikimet dhe veprimet proceduriale nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë rast.
ISSH distancohet nga çdo veprim individual që cënon rëndë Kushtetutën, Kodin Penal, Civil, Administrativ, çdo ligj tjetër në fuqi dhe Kodin e Etikës, e mbi të gjitha që cënojnë integritetin dhe imazhin e institucioneve të administratës publike.
Gjithashtu, garantojmë qytetarët se NUK do të ketë ASNJË TOLERANCË për ASNJË PUNONJËS që SHKEL LIGJIN, që CËNON TË DREJTËN e qytetarëve për të gëzuar të drejtat e tyre, marrjen e shërbimeve falas në përputhje me ligjet në fuqi.
‼️Inkurajojmë çdo qytetar të denoncojë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore përmes kanaleve tona zyrtare, raste të tjera të ngjashme apo abuzime me të drejtat tuaja apo të afërmve tuaj.
🌐https://www.issh.gov.al/?page_id=11975
Çdo denoncim do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Transparenca dhe llogaridhënia janë parimet tona udhëheqëse, dhe së bashku do të garantojmë mbrojtjen e të drejtave tuaja!
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) priti në një takim zyrtar, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA), ku ISSH është anëtare prej vitesh.
Takimi u zhvillua me fokus “Përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e bashkëpunimit institucional”, duke adresuar çështje strategjike për zhvillimin e sistemit të sigurimeve shoqërore.
Në takim morrën pjesë z. Marcelo Abi-Ramia Caetano – Sekretar i Përgjithshëm i ISSA, zj. Marjorie Lestienne – Koordinatore Rajonale për Europën, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të ISSA, zj. Entela Lula Vallat – Drejtoreshë e Administrimit të ISSA dhe Drejtues dhe përfaqësues të ISSH-së.
Përfaqësuesja e ISSA bëri një prezantim mbi rolin dhe funksionimin e ISSA, duke mundësuar një njohje më të thellë të organizatës dhe angazhimeve të saj.
Ky takim shërbeu për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin mes ISSH dhe ISSA, për të krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e eksperiencave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Nga dita e sotme, datë 03.03.2025, nis shpërndarja e shpërblimit për pensionistët dhe kategoritë e tjera përfituese, që trajtohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
730.430 pensionistë do të përfitojnë bonusin e pranverës, së bashku me këstin mujor të pensionit, sipas datave të përcaktuara.
Janë rreth 520.443 persona me pension bazë nën 20.000 lekë, të cilët do të përfitojnë shpërblimin prej 10.000 lekë
Janë 209.987 persona me pension bazë mbi 20.000 lekë, të cilët do të përfitojnë shpërblimin prej 5.000 lekë.
Sipas Vendimit nr. 20, datën 09.01.2024 të Këshillit të Ministrave, të drejtën për të përfituar këtë shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 28.02.2025, përfshirë edhe këtë datë.
Efekti financiar nga zbatimi i këtij vendimi, llogaritet në rreth 6.3 miliardë lekë.
E drejta për të tërhequr këtë shpërblim është deri më datë 30.09.2025.
Nga ana e Institutit të Sigurimeve Shoqërore janë marrë të gjitha masat, që si nga ana e Postës Shqiptare sha, ashtu edhe nga bankat e nivelit të dytë, të ndiqen të gjitha procedurat, sipas parashikimeve ligjore për përfitimin e plotë dhe në kohën e duhur të këtij shpërblimi.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi në datë 4 mars analizën vjetore për vitin 2024, ku mori pjesë edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani.
ISSH vijon të ketë një performancë pozitive të të ardhurave, duke rikonfirmuar qëndrueshmëri dhe konsolidim fiskal.
Gjatë fjalës së saj, znj. Manjani e vuri theksin tek rritja e cilësisë së shërbimeve që ISSH ofron krahas rritjes së numrit të pensionistëve, tek sfida për rritjen e numrit të kontribuesve në sasi dhe cilësi, si dhe tek qëndrueshmëria e skemës së sigurimeve shoqërore, si objektiva madhorë të qeverisë shqiptare per vitin 2025.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së z. Astrit Hado, tha se të ardhurat në total nga kontributet e sigurimeve shoqërore për vitin 2024 u realizuan në masën 139.4 miliardë lekë ose 102 %, me një tejkalim prej 2 miliardë lekë, në krahasim me planin.
Numri i kontribuesve për vitin 2024, është 844 mijë persona, me një rritje prej 2%, në krahasim me vitin 2023.
Sistemi i sigurimeve shoqërore e mbylli vitin 2024 me një rezultat fiskal pozitiv me rreth 2.3 miliardë lekë, nga të cilat 2.1 miliardë lekë vijnë nga tejkalimi i të ardhurave, pjesa tjetër vjen nga mosrealizimi i shpenzimeve, prej 0.2 miliardë lekë.
Rritja e të ardhurave, kryesisht për shkak të rritjes së pagave, ka ndikuar në uljen e deficitit të degës së pensioneve, i cili vazhdon të jetë nën vlerën 1 % të PBB-së.
Gjatë vitit 2024, numri i aplikimeve online të përpunuara arriti në 402,502 aplikime, pa përfshirë ato shërbime që përfitohen automatikisht nga sistemi e-Albania. Në këtë mënyrë qytetarët kanë arritur të marrin më shumë shërbime, me cilësi dhe në kohë reale.
Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z. Astrit Hado, nënvizoi gjithashtu edhe rëndësinë e rritjes së besimit të qytetarëve ndaj skemës, rritjen e transparencës, si dhe kërkoi angazhim të shtuar të strukturave për të bërë të mundur rritjen e numrit të kontribuesve dhe të të ardhurave.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore edhe gjatë vitit 2025 mbetet i angazhuar të vijojë punën për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, për uljen e kohës së caktimit të pensioneve, për lehtësimin e procedurave të transferimit të pensioneve në qendrat paguese, si dhe për realizimin e programit të të ardhurave të Fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Në bashkëpunim me Bankën Botërore, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit dhe Ministrinë e Financave, po punohet për reformimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në funksion të perspektivës afatgjatë të sistemit dhe në funksion të ndryshimeve demografike, duke patur në qendër të vëmendjes rritjen e të ardhurave të pensionistëve, punë e cila ka filluar qysh në vitin 2024, nëpërmjet dhënies së bonuseve të fundvitit, e cila këtë vit u dha në masën 15 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, në varësi të të ardhurave të pensionistëve. Dhënia e bonuseve për pensionistët do të vijojë edhe për vitin 2025, sipas parashikimeve përkatëse buxhetore.